Varfëria po e mbyt futbollin e Kosovës

  • 23 October 2018 - 08:52
Varfëria po e mbyt futbollin e Kosovës

Pranimi në UEFA e në FIFA nuk solli atë që prite

"Është shpresuar se, pas pranimit në UEFA dhe në FIFA, në futbollin e Kosovës do të ndodhë revolucion, ndryshime rrënjësore dhe reforma, por, si duket, është vështirë të largohemi nga avaria që po e përcjell futbollin e Kosovës tash e dy dekada me të njëjtat personazhe", ka thënë Nexhmedin Bunjaku për gazetën "Kosova Sot"

P ranimi në arenën ndërkombëtare është besuar se do të sjellë përfitime të mëdha për klubet kosovare. Në fakt, ashtu edhe duhej të ishte, sikur klubet tona do të dinin më mirë ta menaxhonin situatën dhe të përgatiteshin më mirë për garat ndërkombëtare. Prishtina, Trepça'89 e Drita, janë klubet që në këto tre vjet sa jemi pjesë e FIFA-s e UEFA-s dolën në arenën ndërkombëtare, saktësisht në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, por për fat të keq nuk morën atë që është pritur. Ish- futbollisti dhe gjyqtari i njohur gjilanas, Nexhmedin Bunjaku sheh shumë faktorë pse klubet kosovare nuk po arrijnë të përfitojnë nga ndërkombëtarizimi, derisa si pikë të parë e vlerëson menaxhimin, ku, sipas tij, janë të njëjtët profile njerëzish dhe idesh që kanë punuar edhe në kohën e izolimit, edhe tash kur jemi pjesë e Evropës, kështu që nuk ka sesi të ndryshojnë gjërat. Fajësohet edhe FFK-ja "Të gjithë pajtohemi që, edhe pse po bëhen tre vjet që jemi pesë e instancave më të larta të UEFA-s e FIFA-s, avancim të futbollit kosovar nuk ka. Viti i parë pas pranimit na shkoi huq, kjo për shkak të neglizhencës së FFKsë dhe vetë klubeve rreth licencimit,por edhe dy vjetët e tjerë më pas pothuaj është e njëjta situatë nëpër klube, përveç disave që përfituan ato pak të mira materiale, kurse cilësia e futbollit tonë mbetet e ulët, gjë që u dëshmua edhe në arenën ndërkombëtare", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Nexhmedin Bunjaku, sipas të cilit, sikur klubet të udhëhiqeshin nga njerëz profesionistë të sportit, mundësia për përfitime do të ishte shumë më e madhe. "Sa po vërejmë në këto tre vjet, klubet nuk janë duke ditur t'i shfrytëzojnë këto të mira që i sjell pranimi në UEFA dhe në FIFA. Së pari nuk po duken lëvizje kah investimet në grupmosha të reja, ku talentet nuk mungojnë. Po e them këtë, sepse po t'u kushtohej më shumë rëndësi dhe investime nga klubet talenteve të reja dhe të transferoheshin nëpër klube evropiane, futbolli i Kosovës do të përfitonte shumë, në anën tjetër klubet do të përfitonin të mira materiale me të cilat do të përmirësonin kushtet e punës, e do përfitonte edhe Përfaqësuesja e Kosovës", ka thënë Bunjaku. Superliga, jashtë ekipit përfaqësues Një nga shqetësimet më të mëdha, sipas Bunjakut, mbetet edhe mospërfshirja e futbollistëve të kampionatit vendor në ekipin kombëtar. "Tre vjet pas pranimit, asnjë futbollist nga ligat e futbollit të Kosovës nuk luan në përfaqësuese. Kjo tregon qartë se jem shumë mbrapa me cilësi", ka thënë Bunjaku për gazetën "Kosova Sot", duke vlerësuar se pa ndryshime rrënjësore, si në klube ashtu edhe në FFK, vështirë të besohet se do të kemi përparim të shpejtë të futbollit. "Klubet tona dhe vetë FFK-ja po vazhdojnë të menaxhohen njësoj sikur para pranimit në UEFA dhe në FIFA, e kjo vjen nga arsyeja se klubet luftojnë për rezultate sekondare, pa programe afatmesme së paku, apo edhe afatgjate. Është shpresuar se pas pranimit në UEFA dhe në FIFA, në futbollin e Kosovës do të ndodhë revolucion, ndryshime rrënjësore dhe reforma, por si duket është vështirë të largohemi nga avaria që po e përcjell futbollin e Kosovës tash e dy dekada me të njëjtat personazhe", ka përfunduar Nexhmedin Bunjaku. 

(Kosova Sot)