Hamilton i pandalshëm, pole-position edhe në Monza

  • 05 September 2015 - 16:14
Hamilton i pandalshëm, pole-position edhe në Monza

Lewis Hamilton është thjeshtë fantastik. Në pistën mitike të Monzas piloti britanik i Mercedesit koleksionoi pole-position-in e 11-të sezonal nga 12 të mundshëm, teksa regjistroi kohën më të shpejtë. Në provat zyrtare të Cmimit të Madh të Italisë, Hamilton e ndali kronometrin me kohën 1 minutë 23 sekonda e 397 të mijtat. Nuk zhgënjyen as dy makinat Ferrari që përpara publikut të tyre regjistruan kohën e dytë dhe të tretë më të mirë. Kimi Raikkonen befasoi në fund shokun e tij të skuadrës gjermanin Sebastian Vettel duke u pozicionuar i dyti, ndërkohë 4-herë kampioni i Botës do të niset nga vendi i 3-të në garën e të kësaj të Diele.

Vetëm 234 të mijtat e sekondit më e ngadaltë se e Hamilton ishte koha e vendosur nga finalndezi. Nuk shkoi më shumë se vendi i 4-t piloti tjetër i Mercedesit Nico Rosberg që për asnjë moment nuk u shfaq në lartësinë e duhur gjatë këtyre provave. Një paraqitje të mirë dhuruan edhe dy makinat Williams me Felipe Massan që u rendit i pesti dhe Valteri Bottas menjëherë pas tij. 10-shja e parë kompletohet me Sergio Perez, Romain Grosjean, Nico Hulkenberg dhe Marcus Ericsson. Zhgënjyen totalisht në provat zyrtare të Monzas, makinat Red Bull dhe ato Mclaren, me Kvyat e Ricciardon që u pozicionuan respektvisht në vendet 14 dhe 15-të dhe Button e Alonson menjëherë pas tyre.