Maradona: Solari nuk do të mbetet gjatë trajner i Real Madridit

  • 14 November 2018 - 15:34
Maradona: Solari nuk do të mbetet gjatë trajner i Real Madridit

Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Maradona, ka thënë se Santiago Solari nuk do të mbetet për një kohë të gjatë në pozitën e trajnerit të Real Madridit, pasi që ky i fundit nuk ka mjaftueshme mbështetje nga skuadra.

Lopetegui u shkarkua nga pozita e trajnerit të Real Madridit një javë më parë, pas disfatës me rezultat 5-1 në El Clasico. Ai e humbi këtë punë pasi që nuk kishte arritur të siguronte rezultate të mira këtë sezon.

Në vend të tij, e emërua Santiago Solari, i cili kishte qenë trajner i Real Madrid Castillas. Ai u emërua në këtë pozitë për dy javë, para se bordi drejtues i klubit madrilen ta merrte vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.

Dje, “Los Blancos” bënë të ditur se Solari do të jetë trajner i Real Madridit deri në vitin 2021, megjithatë kjo gjë nuk dihet pasi që presidenti Florentino Perez është bërë i famshëm për shprehinë e tij për t’i shkarkuar trajnerët nëse ata nuk i sjellin rezultatet e kërkuara.

Emërimin e Solarit si trajner i Real Madridit, Maradona e krahasoi me rastin e emërimit të Scalonit si trajner të Argjentinës.

“Unë vetëm do të them se në të dy rastet, ata nuk kishin mjaftueshëm mbështetje për ta marrë drejtimin e këtyre dy skuadrave. Megjithatë, nëse ata u emëruan në ato pozita, do të thotë se e kishin mbështetjen nga Federata e Futbollit të Argjentinës dhe nga presidenti i Real Madridit”, ka thënë Maradona.

“Por, nuk mendoj se kjo do të zgjasë shumë. Të gjithë trajner e kanë një afat kohor të kufizuar dhe mendoj se i tyre nuk do të jetë shumë i gjatë. Është ndryshe kur flet për afatet kohore për persona të quajtur Zidane, e ndryshe për persona të quajtur Scaloni apo Solari”. 

 

(Kosova Sot)