Këto janë fjalët e trajnerit të Kosovës pas fitores mbresëlënëse ndaj Maltës

  • 17 November 2018 - 21:20
Këto janë fjalët e trajnerit të Kosovës pas fitores mbresëlënëse ndaj Maltës

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se është shumë i lumtur me paraqitjen e djelmoshave të tij në triumfin e Kosovës 5-0 ndaj Maltës në udhëtim, e cila përbën fitoren më të thellë në histori të ekipit kombëtar kosovar.

Fitorja ndaj Maltës e çoi Kosovën edhe një hap më afër fitimit të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve, por për ta konfirmuar këtë i duhet të paktën të barazojë me Azerbajxhanin të martën në Prishtinë.

Challandes thotë se ekipi i tij tregoi shpirt luftarak dhe për dallim nga ndeshjet e kaluara, ishte më efikas në sulm, për kënaqësinë e tij.

“Jam shumë i lumtur me performancen. Pjesa e pare ishte e mirë. Malta është e mirë në mbrojte, por ne kemi pasur mundësi për të shënuar dhe për ta mbyllur ndeshjen më herët”, tha Challandes.

“Mendoj i gjithë ekipi tregoi shpirt luftarak. Pas pjesës së parë patëm pak probleme me Maltën që sulmoi megjithatë pas golit me kundërsulm patën hapësirë dhe jam shume i lumtur sot sepse 5 gola është me rendësi, pasi kemi pasur probleme me shënimin e golave në të kaluarën”, shtoi ai.

Ai thotë se qysh në fillim të Ligës së Kombeve e kishte ndier se ndeshja ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë do të ishte përcaktuese.

“Kur e kam parë shortin dhe kur e kam parë që ndeshja e fundit do të jetë me Azerbajxhanin, e kam ditur se ajo do të jetë finalja. Jam i kënaqur qe kemi ardhur këtu sepse do ta shohim çfarë cilësi kemi. E vlerësoj Azerbajxhanin”, shtoi ai.

 

(Kosova Sot)