Andi Lila në ekipin e Pas Janinës ndaj Iraklis

  • 04 October 2015 - 15:48
Andi Lila në ekipin e Pas Janinës ndaj Iraklis

Andi Lila do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e PAS Janinës. Pavarësisht presionit të mediave dhe tifozëve kundërshtarë, klubi grek nuk do të marrë asnjë masë ekstreme ndaj mbrojtësit, që e festoi golin kundër Olympiacos me simbolin e shqiponjës. Lila është përfshirë në skuadrën me 19 lojtarë, që trajneri Giannis Petrakis ka në dispozicion për sfidën e sotme ndaj Iraklis, të vlefshme për javën e gjashtë të Superligës greke.

Sipas mediave helene, gjatë javës që kaloi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare zhvilloi një ballafaqim me drejtuesit e klubit, ku sqaroi pozitën e tij. Pas takimit, krerët e PAS Janinës duket se u bindën se simboli i shqiponjës së Lilës, që u shoqërua me kontestime dhe fërshëllima në stadiumin “Karaiskakis” nuk ishte një provokim, por një mënyrë me të cilën 29-vjeçari i feston gjithmonë golat, ashtu si ka bërë edhe në Serinë A italiane kur mbronte ngjyrat e Parmës.

Pas sqarimit të çështjes dhe grumbullimit në skuadër, Andi Lila pritet të jetë si zakonisht titullar për klubin nga Janina, që kërkon fitoren e tretë sezonale dhe afrimin me zonën drejt kupave të Europës.