Ribery kërkon ndihmë nga NASA

  • 06 October 2015 - 14:55
Ribery kërkon ndihmë nga NASA

Nuk kanë fund vuajtjet e mesfushorit francez Franck Ribery, i cili nuk luan prej muajsh dhe ende nuk e di se kur do të kthehet në fushë.

Ditët e fundit mediat gjermane kanë raportuar me gëzim për lajmin se Ribery ka nisur të vrapojë, ndërsa drejtuesit e Bayernit shprehen optimistë se më në fund po merr fund lëndimi i tij i tej zgjatur, por situata nuk është aq e thjeshtë.

Nuk është hera e parë që mesfushori ka qenë pranë riaftësimit dhe ka nisur të vrapojë, por dëmtimi është kthyer sërish dhe mjekët nuk po arrijnë ta kuptojnë arsyen e vërtetë që nuk e lejon Riberyn të vrapojë prej 7 muajsh.

Tani Ribery ka kërkuar zgjidhje nga NASA. Kjo organizatë që për të ruajtur muskulaturën e astronautëve përdor një pistë vrapimi antigravitet, gjë që lejon uljen e peshës trupore dhe mundësinë që kyçi i këmbës të mos rëndohet shumë gjatë vrapimit.

Kjo teknikë është përdorur më parë edhe nga emra si Rafael Nadal e LeBron James, të cilët janë shëruar shumë shpejt nga dëmtimet.