Nuk jemi ende… europianë!

  • 09 October 2015 - 17:12
Nuk jemi ende… europianë!

Ne jemi shqiptarë, ne jemi europianë.

Kjo ishte motoja e De Biazit para kësaj ndeshjeje, për të sensibilizuar disi edhe tifozët. Në fakt, dje e treguam se jemi të tillë nëpër tribuna, por jo në fushë. Europianët, ata që kanë njohur suksese me skuadrat e tyre, nuk gabojnë si skuadra jonë, shkruan “Panorama Sport”.

Në tri ndeshjet e fundit, 1 pikë dhe dy humbje në sekondat shtesë. Shqipëria e fushës nuk është edhe aq europiane, pasi nuk arrin të marrë atë që kërkon, edhe pse luan në fushën e saj dhe përballë publikut të saj.

Shqipërisë i mungon edhe qartësia për mënyrën se si duhet ta kërkojë golin dhe po ashtu i mungon edhe durimi për ta mbyllur një ndeshje pa pësuar.

Kjo është Shqipëria e shumë viteve përpara që pësonte humbje “dinjitoze”, kjo nuk është Shqipëria që është gati të shkelë në Francë direkt, pa kaluar në fazën drithëruese të “play-off”-it.

Ndaj, Shqipëria duhet të fitojë në Armeni për të treguar se është vërtet europiane në fushën e blertë, ashtu sikundër janë individualisht të gjithë ata që zbresin në tapetin e gjelbër. Por duhet të tregojnë se mund të bëjnë diçka të madhe së bashku. Të mos e harxhojnë kot “fishekun” e fundit.