Garcia rrezikon shkarkimin te Roma

  • 27 November 2015 - 09:11
Garcia rrezikon shkarkimin te Roma

Disfata e thellë 6:1 me Barcelona-n nuk është kapërdirë ende nga drejtuesit e Roma-s. Sipas të përditshmes “La Gazzetta dello Sport”, trajneri francez nuk e gëzon më besimin e drejtuesve të klubit kryeqytetas. Madje, njëri prej tyre e ka shprehur hapur rebelimin e tij kundër paraqitjes së verdhekuqve në “Camp Nou”, duke deklaruar se një humbje e tillë është e papranueshme.

Gjithsesi, Roma e ka ende një shans për t’u kualifikuar në fazën e 1/8 të Ligës së Kampionëve, pasi do të luajë ndeshjen e fundit në grup me BATE Borisov. Nëse dështon edhe në këtë përballje, atëherë trajneri Rudi Garcia me shumë mundësi do të shkarkohet nga detyra, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 “Corriere dello Sport” shkon deri aty sa të publikojë emrat e kandidatëve për zëvendësimin e francezit, duke mos e përjashtuar mundësinë e rikthimit të Luciano Spalletit apo Fabio Capello-s, ndërkohë që shfaqet edhe emri i Walter Mazarri-t.

Në 27 ndeshjet e fundit të luajtura në Champions dhe Europa League, kryeqytetasit kanë pësuar gjithmonë gola. Roma është skuadra e vetme që ka pësuar 6 ose më shumë gola në 3 raste në Ligën e Kampionëve moderne. Manchester United-Roma 7:1 (2008), Roma-Bayern  Munich 1:7 (2014) dhe disfata 6:1 e kësaj të marte. Këto janë 3 makthet e tifozëve verdhekuq.

(Kosova Sot)