Bryant komunikon tërheqjen nga basketbolli

  • 30 November 2015 - 11:10
Bryant komunikon tërheqjen nga basketbolli

Fundi i një legjende. Kobe Bryant ka zyrtarizuar tërheqjen e tij nga basketbolli në përfundim të këtij sezoni. Pas 20 viteve në Nba të mbushura me suksese, 37-vjecari ka vendosur të thotë stop pasi trupi nuk i përgjigjet më sic dëshiron ai. Ylli i Los Angeles Lakers e komunikoi tërheqjen e tij nëpërmjet një letre e cila u bë publike nga faqja “The Player Tribune”. ” I dashur basketboll, jam gati të lë të ikësh shkruan Bryant në letrën e lamtumirës ose më saktë në poezinë e lamtumirës  pasi fjalët që ka përdorur Kobe ngjasojnë më shumë me ato të një poezie. Black Bamba sic njihet ndryshet Bryant në përfundim të sezonit 2015-2016 të Nba do të jetë vetëm histori dhe të gjithë ata që duan të shijojnë ende magjitë e tij duhet ta bëjnë dicka të tillë nëpërmjet ekranit ose internetit pasi Kobe nuk do të zbresë më mbi parket.

Në letrën e tij të lamtumirës Bryant më tej shkruan. I dashur basketboll, më ke bërë të jetoj ëndrrën time duke më shndërruar në një lojtar të Lakers-ave, dhe për këtë do të të dua gjithmonë. Zemra ime mund ti përballojë akoma betejat, psikologjikisht mund ta administroj ende lodhjen, por trupi im e di që është momenti për të thënë lamtumirë. Ky sezon është i fundit që më mbetet për të luajtur, nënvizon Bryant. Dëmtimet e shpeshta kanë kushtëzuar shumë karrierën e 37-vjecarit në këto 2-3 vitet e fundit. Bryant në karrierën e tij brilante ka fituar plot 5 tituj kampion me Lakers-at. Me kombëtaren amerikane ai ka fituar medaljen e artë në Lojrat Olimpike, Pekin 2008 dhe Londër 2012, ndërkohë që për momentin është pikëshënuesi i tretë më i mirë në historinë e Nba pasi Kareem  Abdul-Jabar dhe Karl Malone.

Në 13 Prill 2016 kur dritat e Staples Center të fiken pas përfundimit të sfidës mes Los Angeles Lakers dhe Utah Jazz që shënon fundin e sezonit të rregullt, për kalifornianët Black Mamba do të jetë vetëm histori, pasi me shumë gjasa 16-herë kampionët e Nba nuk do të kualifikohen në Play-off. Megjithatë një lojtar si ai do të qëndrojë gjatë në mendjen e të gjithëve dhe emri i tij do të shkruhet gjithmonë me gërma të arta në historinë e Nba. Ky është Kobe Bryant një legjendë e gjallë e basketbollit amerikan.