Mbrëmja vendimtare, Interi mund të ketë festë të dyfishtë sonte, Milani e kërkon ngushëllimin

  • S.A /
  • 22 April 2024 - 13:33
Mbrëmja  vendimtare, Interi mund të ketë festë të dyfishtë sonte, Milani e kërkon ngushëllimin

Dy gjigantët e futbollit italian, Milan dhe Inter do të përballen sonte në mes vete në derbin më të madh lokal në Evropë, i cili quhet “Derby della Madonnina”, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kuqezinjtë dhe Zikaltrit e gjejnë veten në formë diametralisht të kundërt.

“Rossoneri” janë në krizë të thellë dhe vijnë nga eliminimi prej Romës në Ligën e Evropës në mesjavë.

Ata e shohin veten në vendin e dytë aktualisht me 14 pikë më pak se rivali lokal, 6 xhiro pa përfunduar sezoni në Serie A.

Milani është dominuar totalisht në vitet e fundit nga Interi dhe skuadra e Stefano Piolit do të mundohet t’i shmanget turpërimit sonte, siç i ndodhi në ndeshjen e parë, kur humbi 1:5.

Nga ana tjetër, “Nerazzurri” në super-formë dhe mjaft të motivuar, do të kenë arsye të dyfishtë për të fituar sonte.

Zikaltrit me një fitore sonte do t’i kishin dy gëzime.

Fillimisht do ta mposhtnin rivalin lokal, Milan, në një ndeshje ndryshe nga të tjerat.

E më pas, do ta festonin edhe titullin e kampionit në Serie A, duke i vendosur dy yje në fanellë.

Me një fitore eventuale, Interi do t’i ikte Milanit plot 17 pikë, 5 xhiro pa përfunduar sezoni, që do të nënkuptonte edhe matematikisht sigurimi i titullit të kampionit.

Në total, dy ekipet nga qyteti i Milanos në të gjitha garat i kanë zhvilluar 237 ndeshje.

Interi i ka fituar 89 takime, kurse Milani 79, derisa 69 ndeshje përfunduan baras.

“Derby della Madonnina” do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45

(Kosova Sot Online )