Nedim Bajrami mund të luajë në Ligën e Kampionëve, e do klubi italian

  • S.A /
  • 23 April 2024 - 10:39
Nedim Bajrami mund të luajë në Ligën e Kampionëve, e do klubi italian

Mesfushori shqiptar i Sassuolos, Nedim Bajrami ka përfunduar në radarin e Bolognas, e cila është gati të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm, transmeton "Kosova Sot Online ".

Bologna është gati ta sigurojë ëndrrën evropiane pas një sezoni të gjatë dhe shumë të suksesshëm duke befasuar të gjithë me lojën e treguar.

Klubi nga Renato Dall’Ara tashmë po përgatit planet për afatin e ardhshëm të transferimeve të verës.

Sipas Tuttomercatoweb, një nga idetë kryesore (ndoshta edhe më shumë se një) mund të çojë te fqinjët e Sassuolos.

Në tribunat e stadiumit Mapei në Reggio Emilia, për ndeshjen e humbur 0-3 nga Neroverdi ndaj Lecces, ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv i Bolognas, Giovanni Sartori, me synimin për të parë sërish nga afër një lojtar i vlerësuar nga ta siç është mesfushori sulmues i kombëtares shqiptare Nedim Bajrami (25 vjeç).

Nuk ishte as rasti i parë dhe as i vetëm i kohëve të fundit në të cilin Sartori – dhe Bologna në përgjithësi – donin ta shikonin personalisht Bajramin.

Ka një precedent të fundit, pikërisht nga një muaj më parë: 22 marsin e kaluar kur u luajt miqësorja mes Shqipërisë dhe Kilit në Tardini dhe mes protagonistëve të vëzhguar nga Sartori ishte Bajrami.

I lidhur me Sassuolon me një kontratë deri më 30 qershor 2027, lojtari i lindur më 1999 u ble nga Neroverdi në afatin dimëror të 2023 për një shumë prej rreth 6 milionë euro.

Për më tepër, Bajrami nuk është emri i vetëm i lidhur me Bolognën, pasi së fundmi është lidhur edhe qendërmbrojtësi kroat Martin Erlic.

(Kosova Sot Online )