Celina, talenti që po i sfidon yjet botërore

  • 08 February 2016 - 09:07
Celina, talenti që po i sfidon yjet botërore

Bersant Celina dëshmoi fuqishëm se është e ardhmja e futbollit

“Si familje jemi shumë të gëzuar që Bersanti debutoi në Ligën Premiere, madje këtë e bëri pikërisht në ditën kur ne ishim në vizitë tek ai. Ndoshta kjo e motivoi edhe më shumë që ai të japë më të mirën”, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për gazetën tonë babai i Bersantit, Edvar Celina

City humbi, por e konfirmoi një talent të jashtëzakonshëm

Kosova përfundimisht ka fituar një talent të madh. Bersant Celina është ylli i ri, i cili ngadalë, por sigurt, ka nisur t’i bëjë krenarë shqiptarët. Debutimi fantastik në Ligën Premiere në fanellën e Manchester City-t, vetëm sa dëshmoi se ky djalosh është e ardhmja e futbollit modern. Mediet ndërkombëtare, ndonëse e cilësuan si një humbje zhgënjyese të Manchester City-t ndaj Liecester-it, gjithsesi  ngushëllimin e gjetën te talenti kosovar, duke shkruar se City humbi lojën, por e fitoi një futbollist të jashtëzakonshëm. Në një bisedë ekskluzive për gazetën tonë, babai i Bersantit, Edvar Celina, ka thënë se Bersanti pas ndeshjes është parë shumë i lumtur me debutimin, derisa duket se prania e familjes së tij në stadiumin “Etihad” në Mançester e ka motivuar atë shumë. “Si familje jemi shumë të gëzuar që Bersanti debutoi në Ligën Premiere, madje këtë e bëri pikërisht në ditën kur ne ishim në vizitë tek ai. Ndoshta kjo e motivoi edhe më shumë që ai të japë më të mirën”, ka nisur rrëfimin e tij Edvari, i cili nuk e fsheh aspak lumturinë për birin e tij.

Image

Bersanti, shumë i lumtur

Menjëherë pas ndeshjes, ishte vetë futbollisti Bersant Celina ai që është deklaruar shumë i lumtur me debutimin. Edhe pse rezultati nuk ishte i mirë, Besanti ka thënë se ky është vetëm hapi i parë dhe tash e tutje shpresojmë ta shohim edhe më shumë në fushë. “Bersanti ndihet shumë i kënaqur me minutazhën që fitoi në këtë sfidë, por edhe me performancen e mirë që tregoi gjatë atyre minutave”, ka thënë Celina, i cili beson se edhe në ndeshjet e tjera do të ketë paraqitje në lojë. “Se a do të ketë paraqite të tjera në ekipin e parë, unë nuk dua të spekuloj. Janë trajnerët ata që i vëzhgojnë ushtrimet çdo ditë dhe vendosin se kush është i gatshëm ose jo për lojë”, deklaroi babai i Bersantit, i cili vazhdon të jetë tejet modest, duke mos dashur të ndikojë te djali i tij, që pas një arritjeje kaq të madhe, të ndihet superior dhe të ndryshojë sjelljen.

Kokën ulur dhe vetëm punë

 

Celina gjatë afatit kalimtar të janarit ishte në llupën e shumë klubeve, madje në Angli me të madhe u fol se ai do të huazohet në skuadrën e njohur skoceze, Celtic, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi. Duket se Celina ka pasur besim në talentin e tij dhe për këtë arsye ka luftuar fort që të dëshmohet në një skuadër të mbipopulluar me yje të futbollit. “Ai duhet të mbajë kokën ulur dhe të punojë edhe më shumë në stërvitje, që të mund t’i bindë bashkëpunëtorët e Pellegrin-it, por edhe vetë Pellegrin-in që edhe në të ardhmen të ketë minutazh në fushë”, ka thënë Celina, duke shtuar se biri i tij nuk ka nevojë të huazohet askund, pasi ka nivel për të luajtur edhe këtu ku është. “Bersanti nuk ka nevojë të huazohet tash për tash. Ai ka lojë të mjaftueshme me U21 e Manchester-it, derisa stërvit me ekipin A çdo ditë, kështu që për zhvillimin e tij kjo është shumë gjë e mirë dhe mendoj e mjaftueshme tash për tash”, ka përfunduar babai i Bersantit, Edvar Celina. Në anën tjetër, Bersanti sikur është trimëruar nga kjo paraqitje e mirë dhe ka premtuar se do ta bindë edhe Pep Guardiola-n, i cili në fund të stinorit do ta marrë nën drejtim Manchester City-n. “Ishte keq që nuk fituam, por ne duhet të vazhdojmë luftën. Jam krenar po ashtu që bëra asist, por fatkeqësisht nuk ishte i mjaftueshëm. Pavarësisht kësaj, mendoj se shkoi mirë, por unë dua të luaj edhe më shumë. Kam edhe më shumë për të ofruar”, ka thënë Celina. “Nëse unë bëj një stinor të mirë, Guardiola me siguri do të më dojë”, ka thënë Celina, i cili ditë më parë ia mbylli dyert Norvegjisë, duke thënë se është pjesë e Kosovës.

(KOSOVA SOT)