Supersfida e Serie A

  • 13 February 2016 - 09:55
Supersfida e Serie A

Mbrojtja kundër sulmit më të mirë

Ndeshja që mund të vendosë për titullin e kampionit

Të shtunën (sot) në mbrëmje, në ora 20:45, do të luhet sfida mes Juventus-it dhe Napoli-t, dy skuadrat që kryesojnë kampionatin italian të futbollit. Është një përballje që ka brenda saj edhe mini-sfidën mes dy yjeve argjentinase të të dyja skuadrave, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain. Pikërisht te këta dy futbollistë do të bazojnë lojën e tyre trajnerët Massimiliano Allegri dhe Mauricio Sarri, për të tentuar marrjen e tri pikëve që mund të rezultojnë vendimtare në luftën për titullin, por që mund të kenë edhe një vlerë morale, pasi si Juventus-i ashtu edhe Napoli do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e sukseseve. Juve ka 14 fitore radhazi, derisa 8 Napoli. Higuain dhe Dybala për më tepër kryesojnë edhe listën e golashënuesve të Serie A. Në fakt, Higuain ka 24 gola të shënuar dhe 2 asistime, ndërsa Dybala 13 gola dhe 8 asistime. Por, në “Juventus Stadium” statistikat personale të tyre do të kenë shumë pak vlera, argjentinasit e Napoli-t dhe “Zonjës së Vjetër” do të kërkojnë vetëm fitoren e skuadrave të tyre respektive me çdo kusht. Napoli pas 24 javësh i ka grumbulluar 56 pikë, duke qenë lider derisa Juve në vendin e dytë ka dy pikë më pak. Takimin e vjeshtës e fitoi Napoli 2:1. Chiellini, Manxhukiq dhe Caceres mungojnë te vendësit, kurse mysafirët janë të kompletuar, transmeton gazeta Kosova Sot Online. 

Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare

Te Juventus-i është Allegri ai që mendon të ulë tensionin, në prag të sfidës direkte me Napoli-n. “Rezultati i ndeshjes Juventus-Napoli nuk do të vendosë kampionatin. Pas kësaj ndeshje dy skuadrat kanë edhe 39 pikë në dispozicion. Napoli po zhvillon një kampionat të madh, ndërsa ne kemi grumbulluar vetëm tre pikë më pak se edicionin e kaluar. Diferencën po e bën dueli direkt i fazës së parë, ku pësuam dy gola për fajin tonë. Tani do të jetë një ndeshje ndryshme, një sfidë e bukur, taktike dhe teknike. Është një përballje që i ka të tri rezultatet. Nuk e di sa vlen për Napoli-n titulli kampion. Megjithatë, për ne do të ishte titulli i pestë radhazi dhe Juventus-i do të hynte në histori. Pika e fortë e Napoli-t nuk është vetëm Higuain, që po zhvillon edicionin më të mirë në karrierë. Ai është finalizuesi i aksioneve, por Sarri ka rreshtuar mbrojtjen e dytë më të mirë të kampionatit”, deklaroi Allegri, transmeton gazeta Kosova Sot Online. 

Mysafirët të motivuar

Një lumë komplimentesh për Juventus-in dhe batuta krenarie për Napoli-n e tij. Mauricio Sarri u prezantua i motivuar përpara gazetarëve në prag të sfidës.“Duhet të tregohemi të çmendur dhe të shkojmë në Torino për të imponuar lojën tonë. E vetmja mundësi për të dalë me një rezultat pozitiv është kjo dhe ne do të tentojmë të bëjmë pikërisht këtë gjë. Duhet të jemi të bindur se nëpërmjet lojës së mirë vjen edhe rezultati. Do të japim maksimumin për të kënaqur tifozët tanë. Do të kemi një stadium kundër, por një qytet që do të na mbështesë. Po përgatitemi normalisht, sepse pas kësaj ndeshjeje do të jenë edhe tre muaj me 13 ndeshje për t’u luajtur. Skuadra po stërvitet me entuziazëm dhe duhet të jemi shumë të kthjellët. Nëse fitojmë do të jetë një dhuratë për tifozët tanë që nuk mundet të jenë të pranishëm në stadium dhe kjo është një padrejtësi që po na bëhet. Mendova të njëjtën gjë edhe kur tifozët e Juventus-it munduan në stadiumin tonë”, u shpreh Sarri. Elseid Hysaj pritet të luajë nga fillimi për Napoli-n.

(Kosova Sot)