Finalet e ëndrrave

  • 14 February 2016 - 13:49
Finalet e ëndrrave

Momenti i së vërtetës ka ardhur. Sigal Prishtina përballë Pejës, Prishtina kundër Penzës. Dy finale fantastike në një ditë të vetëm. Ethet e Kupës kanë kapluar këto dy qytete, ku skuadrat rivale do të ndeshen njëra me tjetrën. Rivaliteti ndërmjet këtyre skuadrave ekziston ndër vite, derisa është rritur në vitet e fundit, pasi kanë qenë skuadrat e vetme që kanë luftuar për trofe. Rivaliteti është rritur edhe me ndërrimin e lojtarëve, që e ka bërë edhe më interesante sfidat ndërmjet skuadrave. Finalja e femrave në basketboll zhvillohet nga ora 17:00, ku përballen Prishtina, që kishte fituar vitin e kaluar dhe Penza finaliste, derisa ‘ajka’ është nga ora 19:45, ku ndeshen Sigal Prishtina dhe Peja, që njëherësh është takimi i fundit në kuadër të Turneut Final të IPKO Kupës së Kosovës në basketboll. Përballjet zhvillohen në Prishtinë, që është organizatore e këtij turneu.

 

 Për spektakël të basketbollit

 

Sa herë janë ballafaquar Sigal Prishtina dhe Peja, interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe kështu pritet edhe sonte. Gerti Shima, i cili më herët ishte anëtar i Pejës, derisa tashmë i Prishtinës, thotë se do të jetë vështirë ndaj pejanëve, por beson se do të triumfojnë. “Kemi pasur një ndeshje të vështirë ndaj Bashkimit, por besoj se kjo nuk do të ndikojë në paraqitjen tonë ndaj Pejës. Kemi respekt maksimal për Pejën, pasi ka një ekip shumë të mirë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por synimet mbetet që të arrijmë të fitojmë Kupën e Kosovës”, deklaroi Shima. Prishtina për të arritur finalen, nuk e kishte aspak lehtë, pasi në gjysmëfinale mundi me vështirësi Bashkimin 83:80. Edhe trajneri i Prishtinës, Antonis Constantinides ka thënë se ndaj verdhezinjëve nuk do të jetë aspak lehtë. “Ne kemi arritur deri në finale ku na pret një rival shumë i vështirë, që e kemi mposhtur javën e kaluar, por ajo ka qenë krejt skuadër tjetër, prej asaj që do të paraqitet të dielën. Unë besoj se sonte do të jetë një festë e basketbollit dhe se gjasat janë 50-50”, theksoi qiprioti, i cili nuk di për humbje, prej që mori skuadrën prishtinase. Pas luftës, Sigal Prishtina e ka fituar dhjetë herë këtë trofe.

 

Peja për të mbrojtur trofeun

 

Peja fitoi këtë trofe edicionin e kaluar dhe synon që të mbrojë trofeun e çmuar. Megjithatë, nuk pritet të kenë lehtë ndaj Prishtinës, që finalen e zhvillon në shtëpi të saj pasi është organizatore. Njëri ndër lojtarët më të dalluar të Pejës, Drilon Hajrizi u shpreh se në finale nuk ka favorit dhe skuadra e tij do të japë maksimumin në këtë përballje. “Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E dimë rëndësinë e saj dhe e dimë se si do t’i qasemi. Është një lojë ku vendosin detajet. Pra, shpresoj se nuk do të bëjmë gabime dhe do të fitojmë. Gjasat janë 50-50, ku Prishtina për një nuancë është favorite për shkak të terrenit, por edhe ne do të kemi tifozët tonë e shpresoj se do t’i gëzojmë me fitore. Pres të zhvillohet një lojë shumë e fortë me mbrojtje të çeliktë. Besoj se fituesi nuk do të dihet deri në çastet e fundit”, deklaroi Hajrizi për “Kosova Sot”. Peja në gjysmëfinale kishte mundur Trepçën pa shumë problem 91:65. Edhe trajneri i Pejës, Branimiq Paviq theksoi se do të hyjnë për të mbrojtur trofeun, që e fituan vitin e kaluar. “Neve na pret një sfidë e rëndësishme duke e marr parasysh faktin se do të hyjmë në ndeshje për ta mbrojtur trofeun e fituar një vit më parë. Nuk do të jetë lehtë dhe do të japim më të mirën tonë”, nënvizoi kroati. Peja dy herë pas luftës e ka fituar Kupën, derisa katër herë nga viti 1991. Pejanët në fillim të këtij edicioni fituan edhe Superkupën, duke mundur Prishtinën në finale.

 

 Prishtina dhe Penza matin forcat  

 

Finale mjaft interesante pritet edhe në konkurrencën e femrave, ku ballafaqohen Prishtina dhe Penza. Janë këto dy skuadra që kanë luftuar për çdo trofe në vitet e fundit dhe përballja e sotme pritet me mjaft interes. Prishtina ka fituar tetë herë këtë trofe, shtatë prej tyre si Universiteti, derisa Penza ka fituar pesë herë. Finalja e vitit të kaluar e zhvilluar në Therandë, iu kishte takuar vashave prishtinase. Kapitenia e Prishtinës, Artina Hasani deklaroi se do të japin maksimumin që trofeu të mbetet në kryeqytet. “Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen finale. Kemi marr pjesë në mesjavë në një turne në Shkup, ku i kemi zhvilluar dy ndeshje të forta të cilat do të na shërbejnë shumë për finalen e së dielës. Penza është ekip shumë e fortë, ne jemi fitues të Kupës për edicionin e kaluar dhe kjo e bënë finalen shumë interesante. Ne premtojmë se do të angazhohemi maksimalisht për të arritur deri te rezultati pozitiv dhe do të bëjmë çmos që Kupa të mos ndërrojë pronare. Vështirë do të jetë, por ne jemi të gatshme për këtë sfidë shumë të madhe”, u shpreh Hasani. Ndërkohë, kapitenia e Penzës, Valbona Bytyqi ka thënë se pa problem do të triumfojnë ndaj prishtinaseve. “Pres lojë të mirë në finale. Me jemi përgatitur dhe të gjitha lojtaret janë në formën më të mirë. Mendoj se pa ndonjë problem do të dominojmë dhe do të fitojmë bindshëm”, deklaroi Bytyqi.