Drita, e sigurt në objektivat e veta

  • 29 April 2016 - 09:55
Drita, e sigurt në objektivat e veta

Raiffeisen Superliga vazhdon të sjellë shumë dilema

“Skuadra jonë nuk përbëhet me emra të mëdhenj, por jemi një grup që punojmë shumë në fushë, kështu që jam i bindur se ekzistencën do ta sigurojmë edhe pa ndeshjen e barazhit. Se kush do të luajë në barazh neve s’po na intereson, po e shikojmë punën tonë”, ka thënë Qëndrim Sejdiu

Lufta për t’i ikur barazhit po bëhet shumë e ashpër

Po e shikojnë punën e vet dhe fare s’po brengosen për të tjerët. Kjo është Drita, e cila vazhdimisht nga njohësit e futbollit po cilësohet si skuadra më e rrezikuar që ekzistencën do ta kërkojë përmes barazhit, megjithatë tabori i skuadrës gjilanase duket i qetë, madje fare nuk po merret me këto konstatime. Ish-futbollisti i Prishtinës, tash në radhët e Dritës, Qëndrim Sejdiu, është i sigurt se Drita do ta sigurojë mbijetesën pa barazh dhe këtë falë organizimit shumë të mirë që kanë në klub dhe mbështetjes së zjarrtë të tifozëve, të cilët janë arsye pse skuadra në fushë jep gjithçka për të ardhur te rezultati.

“Drita ndoshta nuk përbëhet me emra të mëdhenj, por në radhët e veta ka futbollistë që japin gjithçka për të shënuar sukses. Kjo është arsyeja që na shtynë të besojmë se në fund të edicionit do ta kemi vendin aty ku e meritojmë”, ka thënë Sejdiu, skuadra e së cilit në mesjavë luajti në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Trepçës’89 në Mitrovicë dhe vetëm në sekondat e fundit u mposht kur pranuan një gol në minutat shtesë të ndeshjes. Paraqitja e saj në atë sfidë jep besim se Drita shumë lehtë mund ta sigurojë edhe finale e Kupës, por që tash për tash prioritet mbetet sigurimi i ekzistencës.

E diela vendimtare

Dritën të dielën e pret një ndeshje shumë  e vështirë, ku në kryeqytet ballafaqohet me Prishtinën, rivalin e  drejtpërdrejtë në luftë për t’i ikur barazhit. Pikërisht këtu mund të vendoset gjithçka sa i përket së ardhmes, pasi me një fitore të gjilanasve atëherë përfundimisht ekzistenca e tyre do të ishte e sigurt. “Kemi një shoqëri shumë të mirë dhe po funksionojmë shumë mirë si grup. Kjo po vërehet edhe në ndeshet e fundit, ku rezultatet kanë qenë të mira. Pa dyshim nëse vazhdojmë me këtë ritëm atëherë nuk kemi pse të frikësohemi dhe se barazhit gjithsesi se do t’i shmangemi”, ka thënë mesfushori agresiv, Qëndrim Sejdiu, për të cilin njëri nga faktorët kyç që një skuadër mund të arrijë te suksesi është atmosfera në ekip. “Nuk kemi emra të mëdhenj në ekip, por jemi një grup shumë i mirë, kështu që unë kam besim të madh që do t’i shmangemi barazhit”, vlerësoi Sejdiu.

S’merren me të tjerët

Të kujtojmë se për t’i ikur barazhit, sfidë kjo që vendos nëse do të mbetesh pjesë e elitës së futbollit apo jo, sivjet janë në luftë shumë skuadra, madje disa sosh që dikur edhe kanë qenë kampione të Kosovës. Në mesin e tyre është edhe skuadra më e trofeshme në vend, Prishtina, por edhe ajo me shumë traditë, Liria. Megjithatë, këta emra nuk e frikësojnë Dritën, pasi sipas Sejdiut ata fare nuk janë duke e shikuar se më kë kanë punë, por janë 100 për qind të fokusuar te ekipi i tyre., shkruan sot, gazeta Kosova Sot.

“Them të drejtën nuk ka interesojnë ekipet e tjera dhe se fare nuk diskutojmë për to, thjesht jemi të fokusuar te puna jonë, kështu që nuk mund të them se cila skuadër do të luajë në barazh e cila i ikën, pasi nuk jemi duke i përcjell. Ne po mundohemi të japim më të mirën për ekipin e Dritës dhe me një angazhim maksimal, ku normal me mbështetje edhe të kryesisë dhe shikuesve tanë, të cilët janë të flaktë për suksesin e  Dritës, do të arrijmë objektivin që kemi”, ka përfunduar Sejdiu. Gjithsesi, ajo që duhet thënë është në 6 ndeshjet e mbetura asnjë skuadër nuk pranon se do të luajë në barazh, madje shpresat nuk i kanë humbur as Istogu e Vushtrria, që janë në pozitat e fundit të tabelës, çka është një dëshmi se sivjet do të luftohet fort për këtë qëllim, gjë e cila bën që edhe kalkulimet të jenë shumë të vogla.

Drita vazhdimisht nga njohësit e futbollit po cilësohet si skuadra më e rrezikuar që ekzistencën do ta kërkojë përmes barazhit, megjithatë tabori i skuadrës gjilanase duket i qetë, madje fare nuk po merret me këto konstatime

Të kujtojmë se për t’i ikur barazhit, sfidë kjo që vendos nëse do të mbetesh pjesë e elitës së futbollit apo jo, sivjet janë në luftë shumë skuadra, madje disa sosh që dikur edhe kanë qenë kampione të Kosovës

6… ndeshje kanë mbetur deri në mbyllje të Kampionatit të Kosovës, derisa dilema vazhdon të mbetet shumë e madhe sa u përket skuadrave që do të largohen nga shoqëria elite e futbollit tonë.

(Kosova Sot)