Taulant Xhaka harron dëmtimin, feston titullin me Basel

  • 01 May 2016 - 10:50
Taulant Xhaka harron dëmtimin, feston titullin me Basel

Dëmtimi muskulor që e la vetëm 20 minuta në përballjen me Sionin nuk i’a prishi mbrëmjen Taulant Xhakës. Edhe pse të gjithë në radhët e Shqipërisë u shqetësuan për gjendjen e titullarit të mesfushës në prag të Euro 2016, vetë lojtari ka festuar me shokët e ekipit, titullin kampion në Zvicër.  Me fitoren 2-1, Baseli siguroi matematikisht titullin e 7-të radhazi kampion, ndërsa Taulant Xhaka dhe Naser Aliji festuan me shampanjë dhe birra. Taulanti ishte mes lojtarëve që mësynë edhe në konferencën për shtyp të trajnerit Urs Fischer. Xhaka së bashku me Embolo dhe Lang i dhuruan trajnerit dushin e triumfit me pije freskuese dhe birra.

Më pas, Xhaka, Aliji dhe yjet e tjerë të Baselit i’u bashkuan festës së tifozëve në shesh. Skuadra u shfaq përpara fansave pak pas mesnate. Rreth 2 mijë mbështetës përshëndetën heronjtë e tyre me këngë dhe fishekzjarrë për titullin e 19-të kampion në histori të Baselit. Kremtimi për shpalljen zyrtarisht kampion të Zvicrës do të zhvillohet më 25 Maj, pas ndeshjes së fundit të sezonit në Superligë.

(Kosova Sot)