Rrugëtimi i Fadil Vokrrit deri te vota në UEFA

  • 03 May 2016 - 11:57
Rrugëtimi i Fadil Vokrrit deri te vota në UEFA

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës janë nisur drejt Budapestit ku presin votën pozitive për ta hapur rrugën drejt garave ndërkombëtare.

Pikërisht 30 vjet pasi nënshkroi një kontratë profesionale për të luajtur për një nga ekipet më të shquara serbe të futbollit, Fadil Vokrri të hënën u nis drejt Budapestit për të qenë dëshmitar i një votimi që mund t’i japë ekipit përfaqësues të Kosovës dritën e gjelbër për të garuar në arenën ndërkombëtare.

Shtatë federata të futbollit kanë lindur që nga koha kur Vokrri luante në fushën e futbollit brenda ombrellës së federatës ish jugosllave.

Anëtarët e Federatës së Futbollit Evropian (UEFA), pritet të votojnë sot për aplikacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim.

Votimi vjen 14 muaj pasi që federata paraqiti aplikimin e saj. Për të marrë anëtarësimin, Kosova ka nevojë për 28 vota nga 54 anëtarët e UEFA-s.
Vokrri-aplikacioniNjë legjendë e futbollit të Kosovës, Vokrri filloi karrierën e tij në vendlindjen e tij në Podujevë në klubin futbollistik Llapi, para se të luante për Prishtinën, Partizani, në Nimmes të Francës dhe në Fenerbahçe të Turqisë.

Sot, Vokrri është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ne shpresojmë se do të marrim shumicën e votave dhe të hapim shtigje të reja për të rinjtë. Ne kurrë nuk jemi ndalur duke punuar për anëtarësimin në UEFA “, ka thënë Vokrri të hënën gjatë një takimi me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ekipet e Kosovës aktualisht nuk janë në gjendje që të konkurrojnë ndërkombëtarisht, por dy vite më parë FIFA ra dakord për ta lejuar kombëtaren e Kosovës të luajë ndeshje “miqësore” me vendet e tjera në kushte të veçanta. Një prej tyre është se mbishkrimi “Kosova” duhet të përfshijë një yll (*) në anën e pasme të fanelave të futbollistëve.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, dorëzon aplikacionin e Kosovës për anëtarësim te ish Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, dorëzon aplikacionin e Kosovës për anëtarësim te ish Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini.

Serbia po e kundërshton anëtarësimin kosovar në UEFA.

Tomislav Karaxhiq, President i Federatës së Futbollit në Serbi, FFS, thotë se që nga viti 2012 Serbia ka luftuar shumë për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës në UEFA.

“Ne kemi arritur, jo pa përpjekje të mëdha, për ta larguar kërkesën për anëtarësim nga rendi i ditës dhe për ta parandaluar një padrejtësi të madhe katër herë rresht”, tha Karaxhiq.

Në Kosovë, votimi është parë si një shpresë për klubet e futbollit të Kosovës dhe ekipet tjera kombëtare.

“Pas 25 vitesh izolimi, Kosova tani do të jetë pjesë e Evropës dhe familjes botërore të futbollit”, ka thënë Presidenti Thaçi.

“Ne shpresojmë se aplikimi do të marrë mbështetje nga shumica e anëtarëve të UEFA-s”, ka shtuar Thaçi.

Nëse pranohet, Kosova pritet të konkurrojë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës së FIFA-s e cila do të mbahet në Rusi në vitin 2018

(Kosova Sot)