Në Republikën e korruptuar, DORËHEQJA NUK EKZISTON (Video)

  • 17 March 2018 - 07:50
Në Republikën e korruptuar, DORËHEQJA NUK EKZISTON (Video)

MUNGESA E LLOGARIDHËNIES, TIPARI MË I SHËMTUAR I POLITIKËS KOSOVARE

Pushtetarët, njerëzit më të papërgjegjshëm

"Për pushtetarët tanë asnjëherë nuk ekziston dorëheqja. Edhe pse në Kosovë hapur ekziston mafia politike, zhvatet buxheti duke vjedhur qytetarët, varfëria e lartë dhe papunësia janë rekorde, më kot asnjëri nuk e ndien fajësinë, as morale, as njerëzore dhe as juridike, që të japin dorëheqje", potencoi Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Në të gjitha këto vite të shtetndërtimit të Kosovës, që tani po bëhen gati dy dekada, analistët dhe qytetarët theksojnë dhe konstatojnë se në politikën kosovare nuk ekziston dhe nuk është arritur akoma të kultivohet ndjenja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies nëpërmes aktit të dorëheqjes, por vetëm korruptimi, inkriminimi i thellë dhe lakmia për pasurim të zyrtarëve publikë në mënyrë të paligjshme. Në këtë rrafsh nuk ka shumë dallime pothuajse fare mes subjekteve politike, sepse që të gjitha apostrofohen për inkriminim aq të thellë në krimin e organizuar. Shpresa e analistëve dhe qytetarëve mbetet vetëm tek ndryshimi rrënjësor në këtë kastë politike, që do të ishte një reagimi i fuqishëm publik, i ngjashëm si në Sllovaki, pas vrasjes së një gazetari investigativ, bashkë me të dashurën e tij, që pa vonesë e ka detyruar kryeministrin e këtij vendi të japë dorëheqjen, ngase ai u vra derisa po hetonte raste mashtrimi të biznesmenëve të lidhur me politikën. Mirëpo bashkëbiseduesit e gazetës nuk presin që një gjë e tillë të ndodhë vullnetarisht edhe në Kosovë, që ndonjë pushtetarë të japë dorëheqje, sepse kasta politike kryesisht është e lidhur me mafinë më të cilën bashkëpunon hapur, ku mafia politike dhe mafio-oligarkët e biznesit zhvatin buxhetin e vjedhin qytetarët, të cilët i kanë lënë në izolim të thellë, varfëri masive e papunësi rekord. Në Kosovë nuk është për t'u befasuar nëse në rrethana të tilla, kur goditet gazetaria, goditen e vërteta dhe media e lirë, pushteti jo vetëm që nuk do të mbante përgjegjësi, por do të festonte nga gëzimi, sepse është ky mentalitet skandaloz i qeveritarëve të Kosovës, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror.

Kriminaliteti shtetëror

Analisti politik Ali Hertica thotë se për dallim nga vendi ynë, ku nocionet demokraci, shtet ligjor dhe sundim ligji janë vetë fjalë të shkruara në letër dhe nuk jep përgjegjësi askush me akt të dorëheqjes, në shtete e mirëfillta demokratike, si rezultat i adresimit të përgjegjësisë morale, të përgjegjësisë qoftë edhe indirekte të shkeljes së ligjit, e të mos flasim për përgjegjësi të drejtpërdrejtë penale, bien edhe koka të liderëve politik, e lëre më të vartësve të tyre."Për rënie ndesh me ligjin, si akt përgjegjësie, në shumë vende demokratike detyrohet edhe vetë lideri të japë dorëheqje, sepse përgjegjësia e tij qoftë edhe indirekte është të kujdeset për rend dhe ligj, e jo për t'u mishëruar në krim të organizuar dhe në korrupsion, sikur po ndodh akoma në praktikën e shtetndërtimit të brishtë e jofunksional në Republikën e Kosovës", tha Hertica për 'Kosova Sot'. Sipas tij, kjo kulturë nuk ekziston në politikën kosovare.

"Protestat duhet të detyrojnë Presidentin, organet e shtetit, deri edhe ministrat e deputetët, të reflektojnë me dorëheqje", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Ndërsa, profesor Muhamet Kelmendi thotë se për ta detyruar këtë kastë politike që të përulet para ligjit dhe të japë llogari deri në pranimin e fajësisë për dështime, skandale e plaçkitje të parasë së popullit, detyrimisht duhet edhe një zgjim qytetar në protesta."Çështja e lidhjes së krimit politik me atë ekonomik, duke e vartësuar kryesisht politikën nga mafia oligarkike, nuk mund të mënjanohet pa e luftuar njërin dhe krimin tjetër, si dhe lidhjen e tyre. Kriminaliteti mafiozo- ekonomik u krijua në bashkëpunim me politikën dhe në përkrahje të faktorëve të jashtëm, si dhe me financat e dyshimta. Kjo vartësi u thellua. Pushteti shkoi duke u lartësuar nga oligarkët çdo ditë e më shumë. Tash nuk kemi pothuajse asnjë subjekt politik dhe asnjë politikan e pushtetar që nuk varen nga krimi ekonomik", theksoi ai. "Mbi këtë vartësi po punojnë policia, prokuroria dhe gjykatat e vendit, të cilat tërësisht ranë nën kontrollin e mafisë ekonomike. Lidhja dhe vartësia po thellohen. Nuk mund të gjendet asnjë institucion pa vartësi të lartë të tillë. Po kuptohet se kjo gjendje kërkohet të rregullohet. Në Kosovë nuk mund të presim vetërregullim. Nuk mund të presim dorëheqje etj.", potencoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Politikanët, të pabesë

"Halli i tyre pra është lakmia e foteles, pushtetit dhe si të pasurohen hajnisht, duke vjedhur djersen e taksapaguesve. Kosova i njeh të gjithë se çka kishin para luftës dhe e di se si ka mundësi që këta banditë të bëhen super-milionerë dhe nuk i trazon kush, kur populli i njeh për hajna", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, një nivel dhe kulturë e tillë përgjegjësie në Kosovë nuk mund të kultivohet derisa vendi është i sunduar dhe okupuar nga bandat politike dhe jo i udhëhequr në mënyrë demokratike nga partitë politike që përfaqësojnë interesin qytetar, pavarësisht dallimeve që mund të kenë mes tyre dhe rolit në institucione, pozitë apo opozitë. "Ju garantoj se në asnjë vend dhe cep të rruzullit tokësor nuk ka më të poshtër se banditët, që dikush i quan politikanë. Historia e njëzimit jo vetëm në Ballkan dhe Evropë, por në tërë botën e qytetëruar nuk mund t´ia gjeni shoqin më të pafytyrë, më të pabesë, më hajna, më lakmitarë për pushtet, fotele dhe vrapim pas hajnisë, si zagarët pas kockave, këta që janë jo vetëm në Kosovë, por dhe në Shqipëri", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai gjykim të tij personal e mbështet edhe në deklaratën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, z. Lu, i cili publikisht ka thënë në Tiranë:"Kam dëgjuar se shqiptarët janë të besës, por nuk paska më të pabesë se politikanët shqiptarë...". 

Ndërsa analisti Ragip Kuraziu thotë se akti i dorëheqjes është akt që njihet dhe respektohet vetëm nga njerëzit me moral personal, politik dhe institucional, por kjo kastë politike kosovare nuk i ka këto cilësi. "Si të ekzistojë dorëheqja si akt përgjegjësie kur nuk kanë moral as etikë morale, por vetëm inkriminim të thellë në krim të organizuar, që vazhdimisht dhe pa ndalë i kënaq ata. U inkriminuan aq thellë të gjitha partitë pas asnjë dallim në krimin e organizuar, saqë disa politikanë edhe familjet e tyre i kanë lënë pas dore", u shpreh ai."Në Kosovë nuk mund të pritet që ndonjë pushtetar të japë dorëheqje, sepse mafia politike dhe mafio-oligarkët e biznesit zhvatin buxhetin e vjedhin qytetarët pa u penguar dhe e kanë lënë në izolim të thellë edhe qytetarin, në varfëri masive e papunësi rekorde", theksoi Guraziu për "Kosova Sot".

Pasiviteti shoqëror

Edhe analisti politik Bislim Aliu thotë se, pavarësisht faktit që në politikën kosovare për gati 20 vjet pas luftës kanë ndodhur shumë pakënaqësi e parregullsi, nga më të ndryshmet, nga askush nuk është ofruar dorëheqja si vlerë e lartë morale e njerëzore e njeriut, por vazhdimisht ekziston vetëm inkriminimi i thellë në krim të organizuar."Ky inkriminim i pandalshëm jo vetë që u shtua te individët, por besa edhe te të gjitha partitë, pa dallim pozitë e opozitë. Kurse në Sllovaki reagimi i fuqishëm publik, pas vrasjes së një gazetari, i cili hetonte raste mashtrimi të biznesmenëve, e detyruan kryeministrin e këtij vendi të japë dorëheqje. Pra, ai e ndjeu një lloj fajësie dhe si moral ndërgjegjeje ofroi dorëheqjen, kurse këtu te ne sa fajet, vrasjet e zhvatjet e shumta që janë bërë, e asnjërit nuk i shkoi ndërmend që të ofrojë dorëheqjen", u shpreh ai. "Për pushtetarët tanë asnjëherë nuk ekziston dorëheqja. Edhe pse në Kosovë hapur ekziston mafia politike, zhvatet buxheti e duke vjedhur qytetarët, varfëria e lartë dhe papunësia rekorde, më kot asnjëri nuk e ndien fajësinë, as morale, as njerëzore dhe as juridike, që të japin dorëheqje", potencoi Aliu për "Kosova Sot". 

"Këtu te ne, edhe kur fyhet e goditet gazetari, goditet e vërteta dhe media e lirë, pushteti asnjëherë nuk e pranoi fajësinë! Ky me të vërtetë është një mentalitet i ulët dhe tejet skandaloz i qeveritarëve të Kosovës, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Një mungesë të tillë përgjegjësie dhe të kulturës në llogaridhënie e konstaton edhe Gani Qarri."Përkundër të gjithave sa ndodhin në Kosovë, në politikën vendore nuk ekziston DORËHEQJA. Madje ajo është "tabu" dhe e panjohur për qytetarin e vendit tonë, nuk ka ndodhur pothuajse asnjë herë dhe nuk u bë lajm kurrë, që nga pas lufta e këtej, me gjithë inkriminimin e thellë të pushtetarëve dhe të gjitha partive politike pa dallim, në korrupsion dhe krim të organizuar", potencoi ai."Mos-aktivizimi i shoqërisë kosovare dhe mentaliteti i të qëndruarit pasiv i qytetarëve të Kosovës ka bërë që, edhe pse në Kosovë mafia politike dhe mafio-oligarkët e biznesit, tash e sa vite, zhvatin hapur buxhetin e shtetit dhe vjedhin vazhdimisht qytetarët e këtij vendi, të cilët i kanë lënë në izolim të thellë, varfëri masive dhe papunësi rekorde, askush të mos kujtohet të përgjigjet", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, në Kosovë edhe nuk është për t'u befasuar nëse në rrethana si këto goditet edhe gazetaria, goditen e vërteta dhe media e lirë, ndërsa pushteti jo vetëm që nuk do të mbante përgjegjësi për asgjë, por do të festonte nga gëzimi edhe në raste të tilla, e për shkak të heshtjes dhe mentalitetit të qytetarëve të Kosovës. 

"Nëse duam ta ndryshojmë këtë gjendje, shoqëria jonë nuk duhet të pajtohet me situatën në të cilën e ka sjellë politika vendin, duhet të aktivizohet dhe të veprojë në mënyrë më demonstrative, ta shtojë presionin mbi pushtetin dhe të protestojë kundër paligjësive derisa t'i detyrojë zyrtarët e inkriminuar që të japin dorëheqjen, kur ata i shkelin ligjet dhe abuzojnë me pushtetin", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

 

Image

 

Mungon llogaridhënia

Qytetarë rasti të anketuar nga gazeta mendojnë se ndjenja e përgjegjë- sisë dhe akti i dorëheqjes si përgjegjësi faktike apo edhe morale e rrethanave të krijuara nga dobësitë në qeverisjen e vendit nuk ekzistojnë tek njerëzit e kësaj kaste politike. Një nga qytetarët që mendon se pa ardhjen e një elite të re politike në pushtet aktin e llogaridhënies me dorëheqje nga pozita zyrtare nuk e sheh të mundshëm është Hakif Alshiqi. "Me ju thënë të drejtën te ne aq shumë janë të korruptuar, edhe aq ka papërgjegjësi, duke filluar prej kryetarit, e prej kryeministrit e teposhtë, asnjë nuk kanë përgjegjësi, ata nuk këqyrin për popull kurrgjë, por vetëm se për vete. Në shtetet e tjera ndodh që për një gjë shumë të vogël të japin dorëheqje, sikur për shembull tani që ke rasti në Sllovaki, ku kryeministri e dha dorëheqjen, por te ne nuk ekziston ajo, sepse njerëzit janë të kapur, e kanë kapur shtetin, është një elitë e cila nuk mendon absolutisht për popull, kështu që ata janë të lidhur me njëri-tjetrin tuten prej gjërave të tjera që kanë bërë me korrupsion e gjëra të tjera", tha Alshiqi për "Kosova Sot".

Përgjegjësia me akt dorëheqje nuk është praktikë që mund të kultivohet në shtetin e ri të Kosovës, edhe për një kohë të gjatë, edhe sipas Hysni Veselit, me profesion avokat, e i cili sheh shumë rrethana relevante që e bëjnë paksa komplekse tani adresimin e një përgjegjësie të tillë. Sipas Veselit, kjo ndjenjë e përgjegjësisë adresohet kudo në ato vende që pozita zyrtare konsiderohet si përkushtim i interesit publik, e nuk mund të realizohet si duhet."Kjo përgjegjësi është paksa komplekse, nuk është thjesht përgjegjësi e drejtpërdrejtë, nuk është përgjegjësi që ata dinë për çdo detaj në ministri apo në dikasteret që i udhëheqin, megjithatë në vendet demokratike ku vartësia e zyrtarëve të lartë nuk është thjesht ministria jetë ose vdekje, posti nuk është jetë ose vdekje, është thjesht përkushtim ndaj interesit publik dhe në momentin kur puna e atij edukimi, përfaqësimi i tij në moral, është në shpërputhje me atë, atëherë ai e konsideron që duhet të jepet dorëheqje. Ne nuk jemi në atë shkallë të zhvillimit kështu që për mentalitetin tonë kjo është e hershme dhe kjo mund të ndodhë më vonë, që të shihet si mundësi", theksoi Hysni Veseli. 

 Gjykim identik ka edhe qytetari tjetër, Osman Osmani, i cili ndonëse jeton më shumë në perëndim, Kosovën e viziton shpesh, rrethin familjar, dhe e njeh mirë situatën jo të mirë me të cilën po ballafaqohen qytetarët e Kosovës pa dallim."Këto ditë m'u kujtua edhe kjo puna e papërgjegjshmërisë apo e mungesës së llogaridhënies së politikanëve, mu kujtua një lajm në TV për mishin e importuar nga Belgjika dhe unë jam i bindur që atje kanë për të shkuar shumë funksionarë për këtë çështje, ndërsa këtu kjo punë u harrua dhe çka më ra mua në sy me pa në TV e treguan një pamje duke e hedhur, duke e shkatërruar do mish, e aty m'u duk që ishin nja 100-200 kilogramë, bile të krijohet bindja që ai mishi tjetër përsëri ka për t'u përdorur. Kjo punë është bërë po më duket për të mos dhënë përgjegjësi, për të mos qenë i përgjegjshëm, për të mos dhënë llogari dhe për të mos qenë vetë i ndërgjegjshëm dhe kjo këtu është bërë diçka që sikur është normale", tha Osman Osmani në bisedë me gazetën 'Kosova Sot'.

 Këta njerëz dhe këtë klasë politike, i sheh të papërgjegjshëm dhe pa vullnet për llogaridhënie, të gatshëm për t'u korruptuar e zhvatur qytetarin edhe Mustafë Ahmeti, po ashtu me profesion të juristit."Në Kosovë është krijuar kjo kulturë e papërgjegjësisë qysh prej viteve të para të pasluftës për arsye se nuk kanë qenë të organizuara strukturat gjyqësore as të përgjegjësisë penale të asnjë individi, për asgjë që bëhet dhe për ata mendësia e politikanëve tani është si të vijë në pushtet e përgjegjësi nuk i jep askujt, të pasurohet sa më shumë, të bëhet milioner përbrenda nate edhe nuk jep llogari kurrfare. Po e shfrytëzojnë mundësinë e pushtetit për t'u pasuruar edhe më vonë kur të pasurohen e mbajnë pushtetin më parë, me të blerë, me njerëz që i ka në strukturat e veta që i krijon, kështu që njëherë për njëherë këtu nuk ka përgjegjësi, nuk ka llogaridhënie dhe nuk ka shtet të mirëfilltë", tha Mustafë Ahmeti.

(Kosova Sot)