'Fajdet' e IMF-ve godasin klientët (Video)

  • 11 June 2018 - 07:47
'Fajdet' e IMF-ve godasin klientët (Video)

INSTITUCIONET MIKROFINANCIARE, BURIM NDIHME APO ZHVATJEJE?!

Kamatat mesatare mbërrijnë 23 për qind, BQK-ja nuk merr masa

Me synimin e vetëm për të mbijetuar në konkurrencë jololaje të tregut, qytetarët dhe bizneset tona po detyrohen që të marrin kredi tek institucionet mikrofinanciare, me kamata bankare deri në 30 për qind. Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, norma e interesit për kredi në 21 institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë ka arritur në një normë jashtëzakonisht të lartë, pra në 22.7 për qind nga 22. 2 për qind sa ishte mesatarja në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndonëse është rritur norma e interesit, vlera e kredive të lëshuara ka arritur mbi 153 milionë euro, nga e cila vlerë 99 milionë janë kredi familjare, kurse mbi 54 milionë kredi për ndërmarrje. Njohësit e fushës së financave dhe të bankave ankohen se si po kanë probleme jashtëzakonisht të mëdha financiare bizneset për të mbijetuar në një treg tërësisht të kontrolluar dhe të monopolizuar nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën.

IMF-të të bëhen mikrobanka

Bankieri Milazim Abazi për "Kosova Sot" tha se institucionet mikrofinanciare po mbajnë kamata shumë të larta për shkak se burimet e tyre të financimit janë institucione financiare ndërkombëtare, të cilat institucione u japin fonde hua mikrofinancave kosovare me interesa shumë të larta. "Këto interesa sillen në mes 8 - 10 për qind që paraqet burim të financimit 5 -10 herë më të larta se sa burimet e financimit të bankave e që janë kursimet e qytetarëve dhe depozitat e kompanive", shpjegon ai."Sikur institucionet mikrofinanciare të kishin të drejtë të pranonin depozita, atëherë edhe interesat në kredi për qytetarët dhe bizneset do të uleshin ndjeshëm dhe do të ofroheshin interesave të bankave", vijoi më tej Abazi."Një arsye tjetër e rritjes se interesave në kredi tek institucionet mikrofinanciare karshi vitit të kaluar është se bankat komerciale, për shkak të shpenzimeve të larta administrative të mikro- kredive kanë hequr dorë nga kreditë nën 5.000 euro. Kështu që kreditë e vogla faktikisht u kanë mbetur tërësisht vetëm institucioneve mikrofinanciare çka do të thotë se është zvogëluar oferta për mikro-kredi", ka thënë ai. Andaj bankieri Abazi thotë se për të ndikuar në uljen e interesave në kredi të vogla, Banka Qendrore si rregullator i sistemit bankar dhe financiar të Kosovës është mirë që disa nga mikrofinancat më të zhvilluara t'i licenconte si mikrobanka."Me një shndërrim të tillë të institucioneve mikrofinanciare më të fuqishme në banka, siç janë "KEP"," FINCA", "AFK", etj., do të arriheshin së pakut dy efekte shumë pozitive: 1) do të uleshin interesat në mikrokredi, ngase mikro-bankat do të kishin të drejtë të pranonin depozita me norma të ulëta të interesit dhe 2) këto institucione mikrofinanciare do të shndërroheshin nga OJQ që janë sot në shoqëri aksionare, me çka do të zgjidhej një problem madhor që deri sot nuk ka mundur të zgjidhet", sugjeron ai.

Biznesi i vogël dhe i mesëm, në krizë mbijetese

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se Kosova vazhdon të mos jetë vend i përshtatshëm për të bërë biznes. "Nga ky ambient jo i mirë, më së shumti kanë vështirësi bizneset e vogla dhe të mesme. Vetëm brenda një viti mbyllen mbi 2 mijë biznese, që sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, ky është një sinjal i keq dhe që tregon se të bërit biznes në Kosovë për shkaqe të shumta është vështirësuar. Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga më të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme të tjera", potencoi ai."Këto probleme dhe vendosja e arkave fiskale po ndikojnë që shumë biznese të ndërpresin veprimtarinë e tyre. Bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha", vijoi më tutje Beqiri."Bankat komerciale që veprojnë në Kosovë vazhdojnë që të kenë norma shumë të larta të interesit. Edhe pse numri i bankave në Kosovë po shtohet, kamatat nuk po ulen dhe aktualisht shkojnë deri në 24 për qind. Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto norma të interesit janë shumë të larta dhe se vetëm sa i varfërojnë qytetarët dhe ekonominë e Kosovës. Normat e larta të interesit dhe shumë të përafërta nga të gjitha bankat, krijojnë hapësirë të mendohet se ka një marrëveshje interne ndërmjet bankave dhe se nuk po krijohet konkurrencë e mirëfilltë, e cila e karakterizon tregun e lirë. Republika e Kosovës po ballafaqohet me shumë sfida kohet e fundit, njëra nga sfidat është edhe zhvillimi ekonomik, mirëpo bizneset kosovare në bazë të hulumtimeve vendore e të huaja po ballafaqohen me shumë barriera e në mesin e tyre është ndikimi i politikës në veprimtarinë e tyre afariste", theksoi Beqiri."Ky ndikim po i dëmton tej mase disa nga bizneset që nuk kanë krah dhe si pasojë e ndikimit politik ato biznese po detyrohen që t'i zgjidhin dy rrugë, ose të mbyllin aktivitetin e tyre ose të japin përqindjen e kërkuar nga disa grupe mafioze. Institucionet mikrofinanciare (IMF) që veprojnë në Kosovë kanë kamata shumë të larta. Ato japin kredi kryesisht të vogla dhe norma e interesit tek shumica e IMFve arrin mesatarisht mbi 23 për qind. Këto IMF janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta, por me procedura më të thjeshta sesa bankat komerciale", shpejtoi ai. 

Qytetarët në pikë të hallit

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se së pari pa marrë bekimin e njerëzve të pushtetit nuk mund të hapësh institucion financiare që përveç mitës që të caktojnë si fillim njëherësh shumica e institucioneve financiare si bankat dhe institucionet mikrofinanciare kanë anëtarë të bordit njerëz të pushtetit."Pra, si rezultat në Kosovë ende kemi kamata dhe interes të madh dhe këto e rëndojnë të bërit biznes dhe ekonomitë familjare", u shpreh ai."Në momentin që mrrë kredi biznesi apo qytetari në bazë të praktikës rrezikon të falimentojë dhe kjo dëshmon më së miri që kreditë në Kosovë janë fajde legale që institucionet mikrofinanciare në bashkëpunim me njerëzit e pushtetit rëndojnë jetën ekonomike në Kosovë", theksoi Kadriaj."Ky nivel i lartë i kamatave Kosovën e paraqet si në vend jo të mirë të të bërit biznes për investitorët e huaj, ku dihet që në perëndim kreditë janë shumë të favorshme", tha ai. Ndërsa ishdeputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se situata e rëndë ekonomike është faktori kryesor që qytetari i vendit është i detyruar si për zhvillimin e biznesit, si për mbijetesë të marrë kredi nga këto institucione mikrofinanciare me kamata shumë të larta."Në vendin tonë institucionet mikro-financiare janë themeluar për të ndihmuar biznesin e vendit, por edhe pas 10 viteve pavarësi këto organizata financiare kanë kontribuar vetëm që të rrisin kapitalin e tyre financiar, për shkak të kamatave të larta dhe shumë pak kanë bërë për biznesin e vendit dhe qytetarët", theksoi ai. "Qytetarët janë të detyruar për arsye se bankat tek ne të cilat kanë kamata më të vogla të interesit nuk japin kredi aq lehtë dhe për këtë qytetarët e vendit po detyrohen që të marrin nga institucionet financiare me kamata shumë të larta që më shumë janë fajde sesa që janë kamata të interesit", potencoi Neziraj. "Tek ne ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe bizneset familjare nuk është bërë asgjë nga ana e institucioneve shtetërore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Agjencia për Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme tek ne deri më tani ka dështuar tërësisht dhe përveç retorikave boshe shumë pak kanë ndihmuar bizneset e vogla dhe ato familjare", vijoi më tej ai. 

Qytetarët, të lodhur nga hiperkamatat

Veç ekspertëve të bankave dhe ekonomisë, edhe qytetarët e anketuar thonë se ata janë të zhgënjyer me hiperkamatat e institucioneve mikrofinanciare. Kjo ngase, sipas tyre, qytetarët dhe bizneset po detyrohen që për të mbijetuar në treg të marrin kredi tek institucionet mikrofinanciare me kamatë bankare deri në 30 për qind. Kësisoj, qytetari Besim Millaku për "Kosova Sot" tha se këto kamata në bankat komerciale janë shumë të larta se e kalojnë përqindjen nga 22-24 për qind derisa të kthehet kredia."Prandaj kamatat janë tepër të larta në Bankat Komerciale, madje edhe kur bankat u bëjnë oferta klientëve ato, ndonëse thuhet se janë 8 për qind, deri në fund ato kamata shkojnë deri në 24 për qind edhe pa plan të amortizimit, si në ratën e parë ashtu edhe në të fundit", theksoi ai."Në institucionet mikrofinanciare kam dëgjuar se është edhe më keq, ngase atje kamatat bankare janë deri në nivelin 30 për qind", ka thënë Millaku. Kurse, qytetari tjetër, Shpejtim Sinani, tha për "Kosova Sot" se kjo vërtet nuk ka kuptim se kamatat në institucionet mikrofinanciare janë tepër të larta dhe kjo duhet ndërprerë, sepse qytetarët tanë po futen në kredi nga skamja që i ka kapluar e po ashtu edhe bizneset. Sipas tij, BQK-ja duhet që të reagojnë e ta ndalin këtë zhvatje të popullatës që po e bëjnë institucionet mikrofinanciare.

(Kosova Sot)