Automobilat elektrikë luksozë

  • A.P /
  • 08 October 2020 - 20:05
Automobilat elektrikë luksozë

Automobilat elektrikë luksozë kanë përjetuar shkëlqimin në edicionin e sivjetmë të panairit të veturave në Pekin, i mbajtur në kohë pandemie, me rreth 200 automobila më pak në krahasim me panairet e shkuara.

Kina është tregu më i madh i veturave në botë, por shitjet e automobilave përjetuan rënie në tre vjetët e fundit pas ngadalësimit të rritjes ekonomike. Shoku ekonomik i shkaktuar më herët sivjet nga pandemia e koronavirusit goditi edhe më rëndë industrinë e automobilizmit, që në vitin 2018 zinte rreth 10 për qind të shitjeve totale në Kinë dhe një të gjashtën e vendeve të punës, sipas të dhënave zyrtare.

Tani, në një shenjë të rikuperimit, autoprodhuesit botërorë dhe vendorë kanë nisur të raportojnë rritje të kërkesave – të paktën në segmentin e veturave elektrike të nivelit më të lartë.

Pavarësisht rënies prej 60 për qind në shitjet në krahasimin me një vit më herët në muajin shkurt, prodhuesi gjerman “Porsche” parashikon që shitjet e veta në Kinë dhe Hong Kong sivjet të arrijnë të paktën ato të vitit 2019, ose të thyejnë rekord, ka thënë shefi i “Porsches” në Kinë, Jens Puttfarcken, për “CNBC”. “Porsche” ka thënë se shitjet në Kinë u ngritën për 8 për qind më 2019 për të çuar në shitje rekorde prej 86.000 veturash.

COVID-19 ka prekur psikologjinë e konsumatorëve, duke rritur namin e transportit privat, teksa shumë kinezë kanë shpenzuar më shumë. Ai ka shtuar se konsumatorët tani po shpenzojnë më shumë në vetura luksoze në vend të udhëtimeve të zakonshme.

Ai pret që kërkesat të mbesin të fuqishme edhe të paktën në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Porositë në shtet tashmë kanë goditur shifrat rekorde mujore në qershor me gati 10 mijë vetura të shitura dhe që nga ajo kohë kanë qëndruar mbi 9 mijë, ka thënë “Porsche”. Kina është tregu më i madh i brendit, duke zënë rreth 34 për qind të shitjeve globale në gjysmën e parë të vitit.

(Kosova Sot Online)