Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (14)

  • 18 September 2017 - 14:59
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (14)

- A ke dalë tanimë në drekë? – e pyeti, duke veshur xhaketën.

- Unë jam gazetar, Redon – Hashimi hoqi syzet, për t’ua fshirë xhamat.

 - Kjo d.m.th se jetoj me nikotinë dhe kafeinë. D.m.th jo, ende nuk kam dalë në drekë. - Hajde me mua, të lutem. Merr një kapuçino dhe briosh, nëse ushqimet e vendit të duken të padurueshme. - Ti je shefi! – bëri shaka Hashimi, duke pranuar ftesën. Rreth njëzet minuta më vonë, Redoni ishte duke ngrënë një shujtë me pastë, derisa Hashimi kafshonte me shije një sandviç me djathë.

- Më duhet të të tregoj diçka, Redon...

– Hashimi e shikonte me habi mikun e tij sesi hante me babëzi kafshatë pas kafshate, duke pasur vështirësi për t’i përtypur ato.

- Natyrisht, nëse mund të përqendrohesh diku tjetër, pos tek ushqimi.

- Jam duke të dëgjuar! – tha Redoni, duke mos e çuar kokën nga pjata.

 - U tregova i padrejtë ndaj Laurës! Dëgjova se sot ajo erdhi te ti dhe e shpalla fajtore për nervozizmin tënd. E ti, në fakt, vetëm paske pasur uri! Redoni mezi arriti ta përpinte kafshatën e madhe që kishte futur në gojë, pasi që përnjëherë i kishte ikur apetiti. E hoqi përparësen, e shtyri pjatën dhe e mori gotën me pije.

- Thënë më saktë... – tha ai i ngrysur – ishte mu Laura ajo që ma shkaktoi nervozizmin. Ajo dhe tekat e saj, për të cilat kam një mirëkuptim gjithnjë e më të vogël! - Më lejo t’ia qëlloj se çka ka ndodhur! Ajo dhe ndonjë kolege tjetër kanë veshur fustane të njëjta në ndonjë ndejë?!

- Paj, supozoj se një ngjarje e tillë do ta shkaktonte panikun njëjtë sikur ajo ngjarje që ndodhi sot... – murmuriti Redoni, duke e fshirë gojën.

- Shpresoj të mos zemërohesh me mua kur të filloj të them shaka në llogari të të dashurës tënde? Ti e di se unë e dua Laurën, përkundër të gjithave... – shtoi ai me kujdes.

 - A të kujtohet Luani? – Redoni kaloi përtej pyetjes së bërë.

- Natyrisht! Ai bashkëpunonte me repartin tonë për marketing. Kemi bërë disa emisione në njërën nga fabrikat e tij. Një zotëri i vërtetë! Me ditë të tëra i kishte qerasur anëtarët e ekipit edhe pse ajo pjesë nuk ishte përfshirë në marrëveshje. Nuk do të kisha asgjë kundër sikur të gjithë klientët tanë të ishin të atillë.

(Kosova Sot)