Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (56) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (56)

Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (56)

Kujtimit nuk mund t'i besohej. Kjo meseleja e Të Marteve tani vinte e bëhej mjaft konkrete. Në Xhaminë e Çarshisë, respektivisht në oborrin e saj, me të vërtetë gjendej një varr i vjetër. A thua aty të jetë varrosur një... e Marte?! I dukej e pabesueshme, bile edhe qesharake. Por, para vetes kishte një dokument konkret, të shkruar nga një njeri, i cili me asgjë nuk të bënte të mendoje se nuk ishte i logjikshëm dhe "normal". Për një moment i erdhi që menjëherë t'i hipte veturës dhe të shkonte te Xhamia e Çarshisë. Ashtu edhe bëri. Pa i thënë kujt asgjë, doli pa u hetuar dhe u nis. Për fat, në rrugë nuk kishte kolonë. Nuk vonoi shumë dhe mbërriti. Iu desh që të sillej disa herë në kërkim të një vendi për ta parkuar veturën. Meqë nuk gjet asnjë vend të lirë, vendosi që të parkohej para tri barnatoreve, te fontana që gjendej prapa ndërtesës së Komunës. E dinte se aty ishte i ndaluar parkimi, por për shkak të afërsisë së barnatoreve, aty vazhdimisht kishte vetura të parkuara. "Ishalla nuk e kam atë fat që menjëherë të vijë merimanga dhe ta marrë mu veturën time", mendoi ai. Me të dalë në rrugë, pa se Xhamia e Çarshisë ishte duke u meremetuar. Tani i ra ndërmend që kishte kohë që kishte filluar ai meremetim. I erdhi pak keq, sepse kuptoi se, me gjasë, nuk do të ishte asnjë hoxhë aty, për ta pyetur, natyrisht me diskrecion, në lidhje me varrin që gjendej në oborrin e xhamisë. Ashtu si mendoi edhe i doli. Të pranishëm ishin vetëm disa punëtorë, të cilët as që i pyeti send. Doli prapa xhamisë dhe pa se varri gjendej ende aty, ku kishte qenë gjatë tërë kohës sa mbante mend ai. Sapo deshi të largohej, nga prapa i erdhi një zë.

- Selam alejkum! Ishte një plak simpatik, me mjekër të rregulluar dhe me një pamje të përgjithshme mjaft të pastër dhe pedante. Pas një hezitimi, Kujtimi foli.

- Selam!

- Aaaa, e kanë kënaqë! E kanë bo sen' syret! Për mashallah! Plaku e kishte fjalën për xhaminë. Me të vërtetë meremetimi, i cili ende nuk kishte mbaruar, kishte vënë në pah tërë bukurinë e xhamisë. Ishte hequr shtresa sipërfaqësore e llaçit dhe në dritë kishin dalë gurët origjinalë, me atë hijeshinë e tyre klasike, të moçme. Pas një hezitimi të shkurtër, Kujtimi vendosi që ta pyeste plakun për atë që i interesonte."Nuk kam çka të humbas! N'e dittë, mirë, por mos e dittë, kurrgjë kurrkujt".

- Mixhë! A faleni në këtë xhami?

- Jo, tash jo...

- E kam fjalën para meremetimit. - Po, valla! Me siguri ka nja 20 vjet, prej se kam dalë n'pension, që rregullisht falem këtu. Nuk e kam aq ngatë, ama më pëlqen diqysh. E ti, i kujt je, bre djalë? Kishte kohë që nuk ia kishin bërë këtë pyetje dhe nuk e kishin thirr "djalë".

- Unë... i doktor Hasanit jam, nëse e keni njoftë.

- Doktor Hasanit? - Doktorit të fëmijëve...

- Jo... nuk e kam njoftë. - Nejse... Mixhë, a mundem me ju vet diçka?

- Vetëm, bre mixhë! Po, nuk di a di me t'kallxu.

- Ky vorri k'tu. I kujt është?

- Aaa... vorri, a?

- Po, vorri...

- Pasha mixhën, mesa di unë ky osht vorri i një pun'tori që paska vdek tuj e maru xhaminë... Kështu kam dëgju... Kujtimi e priste si në gozhda përgjigjen e plakut. Kur pa se nuk mori përgjigjen e pritur, ndjeu një zhgënjim, por ndoshta edhe njëfarë lehtësimi, në të njëjtën kohë. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

20 orë e 9 minuta më parë
13/12/18