Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (3)

  • 24 March 2019 - 15:38
Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (3)

Kur ishte kthyer nga "takimi", unë tashmë isha në gjumë, e në mëngjes kur kam shkuar, ajo ishte në gjumë. Dukej si nj engjëll e qetë dhe e këndshme. Eh, sa mashtron dukja. Rrobat e hedhura nëpër vende të ndryshme tregojnë të kundërtën. Përsëri kishte ardhur në orët e vona. Po heshtte të mos e dëgjoja. Në tavolinë ishte një porosi për mua: Jam kënaqur, mos ma prish gëzimin duke më zgjuar herët. Të faleminderit, mpuç. Eh moj Hana, Hana, a do të mund të hidhërohem ndonjëherë me ty? A do të rritesh ndonjëherë? Çfarë mund të bëja tjetër pos të buzëqesh. Jam bërë paksa gati, vetëm aq sa të kam ku të ulem dhe ta pi një kafe. Xhaketa ime ishte e hedhur diku pas dollapit. Sikur së paku ta kishte varur, të mos bëhej kështu me rrudha. Por ishte e tepërt ta prisja këtë prej saj. E mora dhe i mora aromë. Mirë është, së paku kishte mbajtur premtimin. Xhaketa nuk kishte aromë tymin e duhanit, por kishte aromën e parfumit të saj të ri. Shenjë e mirë, ndoshta ai djalosh i përshtatet edhe karakterit të saj. Ndoshta nuk kanë shkuar në ndonjë kafene me aromë, por në ndonjë vend me kulturë. Ndoshta kësaj radhe lidhja e saj do të zgjasë, ose ky gëzim kalon me erën e parfumit. Nuk kisha kohë të merrem me këtë. Po ngutesha në fakultet. Për çdo rast xhaketën e vendosa në ballkon, që të ajroset. Isha në bibliotekë kur e vërejta se çanta po më dridhej. Telefoni mobil po çmendej. Me dukej thuajse vibrimi i tij varet edhe nga personi dhe temperamenti i atij që thërret. Kisha një ndjenjë se kjo ishte Hana që po më thërriste. - Hej, ku është xhaketa? Ku e ke lënë? - Hej, ngadalë vajzo. Mirë mëngjes o popull, së pari. Urdhëro kafjallin. Xhaketa është në ballkon, por ku po t dhemb ty? - Po vonohem, më ka zënë gjumi, i kam premtuar se do ta thërras, por nuk e di numrin. Me siguri e kam lënë në xhepin e xhaketës. - E, këtë nuk e di, nuk kam shikuar në xhepa, vetëm e kam kontrolluar nëse ka aromë të keqe. E ai po pret që ti ta thërrasësh, a nuk do të ishte më mirë që ai të thërras ty? - Po, ai do më thërriste sikur unë të mos i propozoja kështu. E di ti që pëlqej të fle shumë dhe nuk jam e kthjellët nga gjumi. - Ai, e papërmirësueshme je ti. Do më tregosh si kalove kur të vij në shtëpi. Tash nuk po mundem të flas. As në shtëpi nuk po mund të flisnim. Kur kam ardhur unë, ajo po bëhej gati të dilte. Krejt çfarë kam dëgjuar ishte se ai tipi ishte fenomenal, dhe se me të do të mund të rrinte gjithë jetën, kështu që duhet të ketë kujdes, të mos e prishë punën. Opa! Ishte kjo një deklaratë e madhe, jo si ato të Hanës së dikurshme. Nuk e kuptova edhe aq me seriozitet, por se ai i kishte pëlqyer, ishte e vërtetë. Kur ka dalë jashtë, si puna më normale, ka marrë xhaketën time.

- Hej, a mos po harron diçka? Ti përsëri me xhaketën time?! - Epo, duhet, edhe dje e kisha. Edhe a tipi e ka vërejtur se ishte e mirë. Elegante. Po, pikërisht këtë e ka thënë. - Xhaketa po, e ti? Moj ti je çmendur prejse kemi ardhur në studime. Qetësohu paksa, nuk kemi ardhur të sorollatemi, por të mësojmë. - Qysh - qysh........ - më tha duke qeshur - dija nuk është lepur. Mezi po pres që të njoftoj me atë tipin, jam e sigurt se do të pëlqejë. Vë bast se nuk do të kesh vërejtje. Do të mund ta ftojmë për drekë, e ti të përgatisësh recetat tuaja fenomenale. - Këtu të kam pritur. Do ta ftosh djaloshin për drekë, e unë do të gatuaj. Sa mirë e paske menduar këtë. Zonjusha ka edhe kuzhiniere. Hajde tani, ku je nisur, a po e sheh se po punoj. Mos më pengo. (vijon)

(Kosova Sot)