E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (3)

  • 30 March 2019 - 15:31
E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (3)

Dhe, pikërisht në ato momente, kur isha e sigurt se prapëseprapë qielli nuk më urren, përsëri ka ndodhur tragjedia. Pikërisht sikurse edhe shpesh deri më tani, Petriti përsëri ka trokitur në dyert e dhomës time. Sanija, të lutem më ndihmo. Ti më je shpëtimi i fundit. Nëse nuk më pengon, nuk e di se çfarë do të bëj - filloi të qante dhe më ra në përqafim. Zemra po më rrihte si e egër. Kurrë si tani nuk isha e frikësuar. Sipas shprehjes së fytyrës së tij, isha e bindur s e kishte ndodhur diçka e keqe. - Ti e di se për ty do të bëja gjithçka. Qetësohu dhe ma thuaj se për çfarë bëhet fjalë - e kam inkurajuar. - E kam shumë të vështirë, por nuk kam ku tjetër, pos nga ti të kërkoj ndihmë. Kam një borxh të madh bixhozi. Nëpër trup po më përshkonin të dridhurat. Deri tani e kam ditur se ai i ka pasion letrat, por nuk e kam ditur se luan me të holla. Fyti gjithnjë e më shumë po më ngjitej për trupi. Më përgjëronte për ndihmë, edhe pse kursimet nuk kam dashur t'i humbas në këtë mënyrë, m'u desh t'i ndihmoja. Ai ishte personi i vetëm që vërtet më ka dashur dhe më ka puthur dhe më duhej të isha pranë tij kur ai kishte nevojë. Ia dhashë të gjitha të hollat e mia, por pas kësaj, ai përherë vinte tek unë dhe më luste t'i ndihmoj. - Petrit, me dëshirë do të ndihmoja. Pardje t'i kam dhënë të hollat e fundit që i kisha, e para tre ditësh kam pranuar rrogën. As vetë nuk e di se si do të mbijetoj deri në fund të muajit. Më ke premtuar se do ta ndalosh bixhozin. Përse ke bërë kështu? Përse ke thyer premtimin?

- E dashur, do të dëshiroja t'i kthej të gjitha të hollat e tua. Nuk e ke idenë sa të vështirë e kam që t'i kam shpenzuar kursimet. Nuk kam mundur ta duroj se sa shumë ke sakrifikuar për mua - po fliste dhe po qante si një foshnje e vogël. E kam lutur që ndihmë të kërkojë nga nëna, por më tha se për këtë ajo nuk guxon ta kuptojë. Atë që moti e kishte bindur se kishte ndaluar me bixhozin. E zuri gjumin në përqafimin tim dhe mëngjesin tjetër kam dalë me kujdes që të mos ia nxjerrë gjumin. Për dallim prej tij, që punonte në ndërrimin e dytë, unë isha në ndërrimin e parë dhe po nxitoja. Kur jam kthyer në shtëpi, ai më nuk ishte në dhomën time. Po hamendësoja se ishte në punë dhe nuk u brengosa më. Jam brengosur kur as pas tre ditësh nuk u kthye në shtëpi. Nëna e tij dhe unë po çmendeshim nga brenga, kur befasisht u shfaq në dyer. Mezi po rrinte në këmbë. I ofruam ndihmë dhe e zhvendosëm në dhomën e tij. Nënën e kishte bindur se ishte rrahur me dikë dhe për këtë fakt po ndihej keq, por unë e vërejta se në pyetje ishte diçka tjetër. Kam pritur të mbetemi vetëm dhe e kam lutur të ma shpjegojë se çfarë po ndodhte me të.

- E kam shitur veshkën. Mbrëmë isha në operacion. Prandaj po ndihem kaq keq - më tha. - Çfarë ke bërë? A të dëgjova mirë? E ke shitur veshkën? Si është kjo e mundur - u habita. - Gjithçka është e mundur në këtë botë të çmendur sot. E di se kam borxh të madh bixhozi. Miku që ia kam borxh, ka një mik që merret me këtë punë. Njeriu mundet krejt normalisht të jetojë me njërën veshkë. Njeriut që i kam borxh është i rrezikshëm dhe nuk bën të tallem me të. - M'u desh ta bëja këtë … - Ti je çmendur! Si të bësh bixhoz me shëndetin tënd… Kjo është një çmenduri. - Sanije, ai idiot do të më vrasë, nëse së shpejti nuk ia kthej të hollat e tjera. Nuk kisha zgjedhje. Zemra pothuajse po më dilte nga gjoksi. E kam pyetur edhe sa i kishte borxh, e kur e kam dëgjuar shumën, pothuajse më humbën ndjenjat. Petriti më shumë kishte frikë nga ai njeriu, sesa për atë çfarë kishte bërë. (vijon)

(Kosova Sot)