Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (67)

  • 31 March 2019 - 15:37
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (67)

"Jo, jo! Nuk i kam treguar askujt". "Mirë atëherë, ku mendon ai se je sonte?", e pyeta. Ajo rrudhi supet. "Ai kurrë nuk më pyet, mendoj se nuk mërzitet fare për këtë", pashë sesi buza e poshtme iu drodh paksa. "Do të jetë i marrë nëse nuk mërzitet", thashë, duke pauzuar pak. "Ai nuk mund ta dijë, apo jo? Ai nuk e di. Nuk mundet", mendimi se shefi im, i ati i saj, mund ta merrte vesh për ne, më shkaktonte një dhembje të madhe në bark. Ashlyn mu afrua dhe ma dha një puthje të madhe. "Më duhet të largohem para se ai të më shohë. Më duket se do të shkoj në shtëpi. Vetëm ki kujdes". Edhe unë e putha atë, duke pëlqyer shijen e saj. Mora çelësat nga xhepi im i pasmë dhe ia gjuajta ata asaj. "Merre veturën time dhe shko në shtëpi. Mund ta parkosh në rrugë, para shtëpisë tënde. Më pas, gjatë ditës së nesërme, mund t'm'i kthesh çelësat". Reshjet e para të borës të dimrit kishin filluar atë natë dhe, derisa shikoja në qiell, në fytyrë më ranë ca flluska bore. Më pas, pashë flluskat e borës sesi binin në qerpikët e saj të gjatë, të bukur. Ia putha rrënjën e hundës. "Mos harro të shkruash, dua të lexoj çkado që shkruan ti".

"Të shoh se çka mund të bëj", tha ajo, duke qëndruar e palëvizshme. "Kjo është argëtuese, apo jo? Fakti që gati na zunë?", tha ajo duke bërë një grimasë të çuditshme. "Je krejt e çmendur", thashë, duke ia thithur butë buzën e saj të poshtme. "Krejt e çmendur". "Vetëm për ju, z. Daniels. Vetëm për ju". Duart i çova te vithet e saj dhe ia dhashë një të puthur në qafë. "'Natën e mirë, natën e mirë! Ndarja është një pikëllim kaq i ëmbël…'", i thashë, duke cituar librin "Romeo dhe Juliet". "'Që duhet të të them natën e mirë deri nesër në mëngjes'", tha ajo me zë të ulët, duke qeshur më pas. "Mmm… Më pëlqen kur më thua fjalë të pista". Vetëm ne mund të "kalleshim" duke e cituar William Shakespeare-in. "Oh! Kjo është për ty", tha ajo, duke ma dhënë një letër nga Gabby, pastaj duke u nisur kah vetura dhe duke u ndalur, për të ma hedhur një shikim. "Ai dukej paksa i pikëlluar, apo jo?", tha ajo, duke shikuar kah kafeneja. "A do të mund ta kishe parasysh?" "Po, natyrisht". "Faleminderit", tha ajo dhe u largua. Gjatë atij momenti të shkurtër ndjeva shumë më shumë dashuri për të. Ajo mendonte se Henry nuk mërzitej se ku shkonte ajo, se nuk ia ndiente për të, por megjithatë, ajo mërzitej për mirëqenien e tij. "Henry?" e thirra, duke u nisur kah kafeneja. Ai nuk dukej aspak sikur që duket në shkollë. Kishte veshur një bluzë të hirtë, të rrudhur, me flokë të shprishura. Sytë e tij ngjyrë të gjelbër më shikonin dhe, në fillim, ai u duk i befasuar që më shihte aty. Më pas filloi që të relaksohej. "Dan, tung. Çka po bën këtu?" U ula në karrigen afër tij, duke filluar bisedën me të edhe pse ai nuk dukej se ishte në disponim për të biseduar. Ai kishte kapur me të dy duart një gotë me uiski.

Era i vinte duhan. Për një moment, e thitha këtë aromë, e cila ma kujtoi babanë tim. "Jam pjesë e bendit 'Romeo's Quest'. Si je ti?" Ai më shikoi me sy të hapur dhe qeshi. "A e do një përgjigje diplomatike, apo të vërtetën?" Ia bëra me dorë baristit dhe porosita për ne edhe dy uiski të tjerë. Më pas, u ktheva kah Henry. "Vendos ti vetë". Ai pushoi pak dhe, duke fërkuar skajin e gotës, më tha "Jam mirë". Ishte evidente se më rrente. Sytë e tij ishin të rënduar. Dukej sikur të mos kishte fjetur me javë të tëra, bile edhe me muaj. "Kjo ishte përgjigja diplomatike". "E, e vërteta?", e pyeta, duke më ardhur keq për të. "E vërteta është se... jam duke u shkatërruar", tha ai, duke pirë një gllënjkë të madhe nga gota e vet. "Kanë kaluar vetëm  disa muaj prej se më vdiq vajza".

(Kosova Sot)