Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (78)

  • 11 April 2019 - 15:39
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (78)

Biseda jonë u ndal kur erdhi Hailey me nxitim. Ajo e përplasi tabakanë e saj në tavolinë. "Kërkoj falje që u vonova". E ngrita shikimin, e pashë Theon duke hyrë dhe më erdhi neveri. Ende vazhdoja ta urreja atë. "Përsëri jemi bashkë", tha Hailey duke buzëqeshur."Unë i kërkova falje që kisha qenë një vajzë tepër kontrolluese, e ai më tha se shpirtrat tanë munden edhe më tej të udhëtojnë bashkë". "Ti i kërkove falje atij?!", nuk mund të besoja. "Ti nuk kupton, Ashlyn. Unë e dua atë". Kisha filluar të dyshoja se çka donte të thoshte fjala dashuri. kisha përshtypjen se njerëzit, duke e përfshirë edhe veten këtu, e përdornin këtë fjalë vend e pa vend, duke ia humbur ashtu kuptimin në tërësi. Ryan injoroi motrën e vet, i pakënaqur me vendimet e saj. Më duhej të pranoja se edhe unë isha pak e zhgënjyer. Ai u kthye kah unë. "Ishte Jake, apo jo? A ishte Jake ai që ta shkaktoi këtë 'vulë'?", më tha, duke më bërë të skuqesha. "Jo." "Por, ai do të donte të ta bënte një gjë të tillë?" "Po". "Dhe… djali i cili ta bëri këtë, është..." Turfullova. "Nuk ka rëndësi, nuk jemi më bashkë".

KAPITULLI 22

Rrija ulur në skaj të portit, duke shikuar diellin duke perënduar. Ndihesha i mposhtur, i lodhur, i shterur. Më dukej se, sa herë që më ishte paraqitur ndonjë moment i lumturisë, paraqiteshin ca hije për të m'i zhdukur ato momente. Jeta nuk ishte e drejtë dhe unë ndihesha si tuhaf, që kisha menduar se ajo duhej të ishte e tillë. Por, doja që ajo të ishte ashtu. Kisha nevojë që jeta të ishte e drejtë, të paktën për një moment. Ashlyn ishte gjëja e vetme që ma kishte larguar errësirën. Prapa meje u dëgjuan ca hapa. E dija se ishte ai, ende pa folur ai. Kisha qenë unë ai që e kisha thirrur atë dhe i kisha thënë të takoheshim këtu. "Ndihem çuditshëm derisa jam kthyer këtu". U ktheva dhe pashë Jace-n duke ardhur në drejtimin tim. Ai i kishte duart në xhepa. U ul afër meje."Kjo është hera e parë që vij, qyshkur nëna...". Fjalët e tij u ndalën. Ai i futi gishtat në ujë, duke luajtur. Ai e infektoi ujin pa pasur fare ide. Meqë, Jace e bënte vetëm këtë gjë - shkatërronte gjërat dhe njerëzit. Ai nuk e bënte këtë me qëllim, por megjithatë gjithnjë arrinte ta bënte. "E pash edhe Randyn. Edhe ai jeton këtu"? Nuk iu përgjigja. "Ai më tha se ju performoni në kafenenë e Joe-it dy herë në muaj?" U kollita, për ta pastruar fytin. "Çka je duke bërë këtu? Çka dëshiron?", e pyeta, duke ndier një valë të nxehtësisë që ma kaploi trupin me të arritur ai. Ai më shikoi me një shikim të çuditshëm.

Sytë e tij u hapën pas pyetjes që ia bëra. "Jam kthyer për të marrë vesh se kush e vrau nënën. Dhe, jam pak i tronditur nga fakti që ti nuk paske ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, pasi që mua më përjashtove dhe dëbove"! Zëri mu ngrit pa dashje. "Unë të përjashtova", thashë. Takimin tonë e kisha paramenduar me muaj të tërë më parë. Shpresoja që ai, deri më tani, do ta kishte kuptuar pse e kisha larguar, pse nuk kisha pasur zgjidhje tjetër. "Bëra që të ikje për shkak se ti do të ishe i ardhshmi, Jace. Me gjasë do të filloje me ndonjë plan të marrë dhe do të përfundoje i vrarë". "Nuk jam i marrë", reagoi ai. "Do t'ia dilja disi". "Do t'ia dilje?! Do t'ia dilje t'i bije në gjurmë kopilit që e vrau nënën?!" Jace u ngrit në këmbë, por unë nuk mund të pushoja. "Me gjasë vetëm sa do t'i pezmatoje më shumë kriminelët, të cilët do të na vrisnin babanë dhe mua, para se të të rrjepnin ty!" "Shko në djall, Danny! Ti më përjashtove. Jam vëllai yt"!, bërtiti ai. Në sytë e tij shihej zhgënjimi. (vijon)

(Kosova Sot)