Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (7)

  • 28 May 2019 - 15:33
Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (7)

Tërë kjo më bën që të vjell. Mos e dashtë Zoti që Roberti ta marrë vesh.

Më kurrë nuk do të të konsideronte si vëlla, por si dikë që mundohet t'ia shkatërrojë tërë atë që ka më së shumti rëndësi për të. Edhe unë tani të shikoj me një sy tjetër. Të gjithë njerëzit me mend në kokë e kanë një kufi, të cilin nuk e kalojnë. - Unë nuk kalova asnjë kufi - filloi Agimi të arsyetohej. - Por, deshe ta kaloje - i thashë me zemërim. - E, tash … - ia tregova derën me gisht, ashtu e zemëruar si isha. - Ik! - e dija se isha duke e humbur vetëkontrollin. - Nuk dua që kurrë të vish këtu, të paktën jo kur jam vetëm. Do të takohemi vetëm kur nuk kemi çare. Nuk dua që ndokush ta marrë vesh këtë. Ndoshta do të pendohem për fjalët që i them, por këtë po e bëj për të mirën e familjes. Dua ta ruaj pasqyrën e lumturisë, qoftë ajo edhe e rreme. Më vjen keq! - Kjo nuk do ta zvogëlojë dashurinë time ndaj teje - më tha ai. - Si mund të jesh kaq budalla? - me të vërtetë nuk e kisha të qartë. - Për çfarë dashurie e ke fjalën? - fillova t'i afrohesha.

Atë fytyrë e kisha të njohur, sikur edhe mendimet që fshiheshin prapa saj. - Ik, sa s'e kam humbur kontrollin ndaj vetes - i thashë, duke ia hapur derën. - Roberti do ta hetojë se diçka nuk është në rregull - tha Agimi. - Atëherë ti shpjegoja atij situatën, se unë nuk kam nevojë. Pasi u largua, ndjeva një lehtësim. Isha aq e sfilitur, sikur të kisha punuar me ditë të tëra, pa pushim. Provova të mendoja rreth të së kaluarës. E kërkoja momentin që kishte ndryshuar gjithçka, por nuk mund ta gjeja. A e kisha unë fajin? A i kam dhënë ndonjëherë arsye që të mendonte se mund të kishte ndonjë gjë midis neve? Jo, assesi. Kjo ishte përgjigjja e vetme në këtë pyetje. Natyrisht, raportin tonë e kisha konsideruar të veçantë, por jo ashtu të veçantë. E humba tërësisht kuptimin e kohës. Mendimet i kisha kaotike, filloi të më dhembte koka. Bëra një dush dhe rashë në shtrat. Sillesha e pështillesha sikur pula në hell. Nuk mund të gjeja rehati. Do të doja që tërë kjo mesele të ishte një ëndërr e keqe, nga e cila do të zgjohesha, por nuk ishte. A thua vallë kam qenë tepër e butë ndaj tij. Nuk doja ta filloja një luftë, e cila do të zgjaste deri në pafundësi. Më duket se ai tanimë e kuptoi situatën time. Kisha përshtypjen se isha duke përjetuar ndonjë tmerr. Por, për fat, unë nuk kisha asnjë dilemë. E kisha një burrë për merak, unë e doja, ai më donte dhe kjo ishte e tëra. Doja t'i harroja fjalët e Agimit, por nuk mundja. Sa herë që do ta shoh, do të më kujtohet çdo fjalë e tij. E, ai le të vuajë! E ka merituar.

Asgjë më të keqe nuk mund t'i dëshiroja. Atij i ishte hakmarrë fati, e mua nuk kishte pse. Gjatë disa muajve të ardhshëm Agimin mezi e pashë nja dy herë. Më evitonte, por edhe unë atë. Bile edhe kur gjendeshim në një shoqëri, nuk flisja me të, përpos kur nuk kisha çare. Megjithatë, u befasova kur Roberti më dha se Agimi do të vinte për drekë te ne. - Ndjej se jeni larguar - më tha duke buzëqeshur. - E vërtetë është - i thashë. - Pse? - kureshtja e Robertit filloi të më nervozonte. - Për shkak se kishim mendime të ndryshme dhe... - E di të vërtetën - më tha Roberti duke m'u afruar. - Ka kohë që e di. Të shikoja sesi ishe në siklet, e nuk kishe arsye. Agimi mendonte se nuk kishte femër që mund ta refuzonte, e unë mendoja ndryshe. Nuk dija çka ishte duke ndodhur saktësisht, por ma merrte mendja. Tani edhe ai u bind se kam pasur të drejtë - më tha Roberti me një krenari të madhe në fytyrë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)