Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (8)

  • 29 May 2019 - 14:59
Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (8)

 A dmth se tërë kjo ishte rrenë? - nuk mund të besoja. Ndihesha shumë keq. I kisha besuar Agimit, si dhe sinqeritetit të fjalëve të tij.

- Ndoshta me të vërtetë i pëlqen, por ai e di kufirin dhe mos u shqetëso për të. Ai e do tepër veten e tij, që ta dojë dikë tjetër. Krejt kjo ishte pjesë e planit të tij të menduar mirë. Më kishte premtuar se do të të bënte për vete. - E, çka sikur unë të kisha pranuar? - e pyeta. - Kjo është e pamundur - tha Roberti duke më kapur për dore. Më shikonte në sy. Ndjeja frymën e tij në fytyrën time. Më shikonte me një shikim plot dashuri. - Personi i cili e ka merituar dashurinë time, kurrë nuk do të gabonte. Ty të besoj bile edhe më shumë se Agimit. Ty të kam zgjedhur për ta kaluar pjesën e mbetur të jetës. Martesa jonë është e veçantë, edhe dashuria jonë, po ashtu. E di se sa më do. Dashuria ime është e kthyer. Agimi më thoshte se ky besim do të më kthehej si bumerang. Por, unë e dija se nuk kishte shanse. U largova nga ai. - Edhe ti më dëshpërove - i thashë me mërzi. - Jo - Roberti shkëlqente nga gëzimi. - Kurrë nuk do t'i tradhtoj ndjenjat e mia, martesën tonë, mua, ty … Më nuk dija çka të mendoja. Gjithçka më dukej disi e pakuptimtë. Doja të grindesha me Robertin, por nuk kisha fuqi për një gjë të tillë. Ai e paska ditur, e unë sa s'vdiqa nga frika, mos ai po e merr vesh.

A nuk është edhe ky një lloj mashtrimi? - Tanimë më ke mashtruar. Do të duhej të ma tërhiqje vëmendjen rreth qëllimeve të tij - i thashë me zemërim. - Jo, se atëherë do të ishe e përgatitur. Kështu, e di se nuk ka sfidë para së cilës ti do të dorëzohesh. Gjithmonë kam qenë i sigurt në dashurinë tonë, por tani jam më i sigurt sesa ndonjëherë më parë. Kam zgjedhur personin e duhur për vete. Shpresoj që edhe Agimi ta ketë këtë fat. - Pse e bëri ai këtë? - e pyeta. - Ti e njeh - ma ktheu Roberti. - Kjo ishte sfidë për të. - Ishte aq bindës - thashë si vetë me vete, duke e gjykuar naivitetin tim. - Ai gjithmonë është i tillë. Kur dëshiron diçka, atëherë përdorë të gjitha mjetet për ta marrë atë. - E ke lejuar vëllanë që të t'i vardiset gruas? - ende nuk e kisha të qartë. - Më së shumti ka rëndësi që ti nuk u dorëzove - tha me krenari. Do të duhej të zemërohesha me të, por nuk mundja. Pas disa momentesh, ia dhashë një buzëqeshje. Edhe vetë u ndjeva më lehtë.

Ajo që gjatë tërë kësaj kohe kishte qenë barrë për mua, tani më nuk do të ishte. - Të dua - më tha Roberti. - Vallë, a duhej që dashuria ime ta kalonte testin, që të bindeshe në sinqeritetin e ndjenjave të mia? - e pyeta. - Isha krejt i qetë, e dija se nuk do të ma merrje fytyrën. - E, çka sikur të ta merrja? - e pyeta. - Nuk ka mundësi. Ti megjithatë je e veçantë - ma ktheu ai me gëzim. Më nuk kisha nevojë që ta evitoja Agimin, por e dija se, sapo të më jepej rasti, do ta kritikoj mirë e mirë për atë që ka bërë. Edhe pse çdo gjë ishte sqaruar, e dija se raporti im me Agimin do të ishte i ndryshëm tani, se midis nesh do të vazhdonte që të ekzistonte ajo ftohtësi e ditëve të fundit. - Edhe ti je i veçantë. Për këtë shkak nuk më interesonte oferta e vëllait tënd. U përqafuam dhe asgjë më nuk ekzistonte përpos ne të dyve. 

(Kosova Sot Online)