Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (1)

  • 03 July 2019 - 15:02
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (1)

Nëse ndokush nga ju ka qenë i martuar me ndonjë femër të llastuar, vajzë hasreti, atëherë do ta dini se për çka e kam fjalën dhe për kë jeta ime u kthye mbrapshtë. Ta kesh pranë vetes një femër e cila është mësuar të ketë çka të dojë, kur të dojë, paraqet një ferr të vërtetë. Nuk ka rëndësi sa e bukur mund të jetë ajo, sa mund ta duan njerëzit, sa mund të përpiqet t'ju pëlqejë të gjithëve, meqë kur të largohen të tjerët dhe kur të mbetesh vetëm ti me të, midis katër mureve, në vend se në parajsë, do të gjendesh në ferrin më të thellë të Dantes. U desh që të kalonin vite të tëra që ta kuptoja se nuk qëndronte tërë rëndësia te fakti që, pas Lirisë, meshkujt e kthenin kokën, e as te fakti që unë ecja krenar me të, duke e quajtur grua time.

Ajo që menjëherë më kishte tërhequr te ajo, me kohë më ishte shndërruar në një gur të lidhur rreth qafe edhe atë jo një gur i rëndomtë, por një gur i madh, i cili vazhdimisht më tërhiqte teposhtë. Kur u martova me Lirinë, kisha 35 vjet. Prindërit tanë ishin miq të vjetër, të shtëpisë dhe ne njiheshim që nga fëmijëria. Derisa isha më i ri nuk i kisha kushtuar vëmendje, meqë ishte pesë vjet më e vogël se unë, prandaj e konsideroja axhami. Situata ndryshoi rrënjësisht kur, në një rast, krejt rastësisht, mbetëm vetëm në shtëpinë e prindërve të saj. Nuk e kisha parë qëmoti, e ajo tani ishte bërë një vajzë tepër e bukur. Më pëlqente dhe ishte më se evidente se edhe unë i pëlqeja asaj. Dhe, kështu, nuk humba kohë. Filluam që të dilnim, të shoqëroheshim rregullisht. U bëmë një çift në kuptimin e vërtetë të fjalës. Prindërit tanë ishin të lumtur me lidhjen tonë.

Ata na mbështetnin dhe na thoshin që sa më parë të martoheshim. Kështu edhe bëmë. Që të dy vinim nga familje të pasura. Liria kishte mbaruar studimet, por kurrë nuk kishte ndërmend që të punësohej. Për dallim nga ajo, unë punoja me tim et në ndërmarrjen e tij. Sapo mbaroja punën vija në shtëpi, e më pas dilnim bashkë atje ku donte ajo. Sapo erdhi të jetonte në shtëpi te unë, i punësuam dy gra për të bërë punët e shtëpisë. Njëra gatuante, kurse tjetra përkujdesej për pastërti. Liria kishte tërë kohën vetëm për vete. Mezi priste që unë të kthehesha nga puna dhe, sapo hyja brenda, shihja se ajo tanimë ishte përgatitur që të dilnim. Disa muaj bëra gjithçka që t'ia bëja qejfin nuses sime të re, por kuptova se nuk do të mund të vazhdoja kështu më tej. Thjesht, nuk kisha fuqi që të isha aktiv 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

U mundova që t'ia bëja me dije këtë me rrotulla, por asaj nuk i interesonte fare lodhja ime. Vazhdimisht përsëriste sesi do të çmendej nga mërzia, dhe se unë nuk mund ta dija çka donte të thoshte të ishe i mbyllur në shtëpi. I thashë që edhe ajo të fillonte të punonte me mua në zyrë, por pa menduar fare, ajo e refuzoi një propozim të tillë. - Mos u bëj qesharak. Te ne femrat nuk punojnë. Nëse filloj të punoj, të gjithë do të mendojnë se biznesi i tët et është duke falimentuar. Fundja, çfarë burri je ti nëse nuk mund ta mbash një grua?! A mund të më paramendosh duke u zgjuar në mëngjes, duke u përgatitur për punë? Propozimet e këtilla qesharake nuk vijnë në shprehje. Me të vërtetë më bëre të qeshem me këtë gjë - tha ajo, duke përqeshur qëllimet e mia të mira. (vijon)

(Kosova Sot Online)