Roman dashurie: Lulet e djegura (24)

  • 09 August 2019 - 15:10
Roman dashurie: Lulet e djegura (24)

Ajo ofshau dhe e shikoi atë nga poshtë-lart. "Nuk keni nevojë të shkoni. Në fakt, ju nuk jeni i detyruar të pajtoheni me këtë. Kjo ishte vetëm gjëja e parë që më ra ndërmend. Nuk doja që ajo ta dinte se çka kishte ndodhur në dyqan. Ajo nuk ia do të mirën kësaj pune". Clarke e kishte fiksuar shikimin për toke, derisa Vince iu afrua, duke marrë guximin që t'ia ngrinte lart mjekrën me një gisht. "Shiko, unë nuk i kuptoj këto llafet e femrave, si i keni ju. Por, mund të shoh se me të vërtetë ti bën luftë me të. Do të isha i lumtur sikur të mund të të ndihmoja. Fundja, ti mund të më paguash për këtë dhe mua nuk do të më duhej të kërkoja punë tjetër", bëri shaka ai, duke ndikuar që edhe ajo të qeshte paksa. "Ok", u pajtua ajo. "Ta bëjmë këtë".

KAPITULLI 11

Clarke kryqëzoi duart dhe u zmbraps, duke shikuar dyqanin e vet. Kishte një ndjenjë de ja vu meqë i dukej se, një javë, apo pak më gjatë, kishte bërë gjërat e njëjta. Gjatë periudhës prej dy ditëve të fundit, ata ia dolën që të merrnin mjaft lule, saqë dyqani të mos dukej i zbrazët. Më nuk ekzistonte seksioni i Pashkëve, por ajo e kishte një libër për këtë festë, kështu që konsumatorët mund të bënin porosi duke i shikuar fotografitë. Ishte kthyer seksioni i festës së maturës, në disa mënyra më i bukur sesa që ishte deri më tani, me trëndafila të bardhë dhe me ngjyra të tjera pranverore, gjë që e bënte Clarkeun që të ndihej më mirë. "Duket bukur shumë që pjesëtarët e tjerë të stafit t'iu tregonin atyre se kur do të rifillonte punën, në mënyrë që ata të ktheheshin në punë.

Vince qeshi, por Clarke ia hodhi atij një shikim të rreptë, derisa ai u ndal. Katie i shikoi ata dy me dyshim dhe u afrua te Clarke, duke ia dhënë asaj një përqafim të madh. Clarke me të shpejtë u tërhoq prapa."Pse nuk po e merr pak pushim? Kjo ka qenë një javë e vështirë për ju. Unë mund t'i bëj të gjitha. Edhe ashtu, nuk e kemi hapur ende dyqanin", tha Katie. Në kushte normale, Clarke nuk do të linte t'i ikte një ofertë e këtillë, por kësaj here me të vërtetë ishte e interesuar që t'i kryente punët me Vince-in. Clarke mohoi me kokë dhe e shikoi Vincen. "Mendoj se do të vazhdoj dhe do ta marr një kafe dhe një sandviç. Shihemi të enjten, Katie". Katie tundi kokën me një buzëqeshje të befasishme. Ajo me gjasë ishte kapluar nga tmerri se edhe Clarke, përfundimisht, do ta këshillonte atë që ta linte dyqanin, gjë që ajo kurrë nuk e kishte bërë më parë. Clarke shkoi në zyrë për ta marrë çantën e saj të zezë dhe, në dritaren e vogël, e pa veten duke buzëqeshur. Kjo ishte njëra ndër herët e rralla kur nuk i interesonte sesi dukej. (vijon)


(Kosova Sot Online)