Roman dashurie: Në shikim të dytë (4)

  • 08 October 2019 - 15:16
Roman dashurie: Në shikim të dytë  (4)

- Dëgjova që z. Konti nesër do të udhëtojë në Dubai... - Kjo është e saktë. Ai do të shkojë atje për të blerë stoli ari. Në Dubai ka shumë dyqane ari, por edhe përparësi tjera, natyrisht. - I lumi ti! - Bonie nuk mundi ta fshihte zilinë. - Do të shkosh në atë qytet të largët dhe interesant me shefin tonë të pashëm. E pranoj, do të doja që të isha në vendin tënd! Para më pak se një vit, Jayda gjendej prapa pultit, mu sikurse Bonie. Edhe ajo, me shikim të etur, priste dhe përcillte Marcus Kontin, shefin e tyre të pashëm. Edhe ajo ia kishte zili sekretares së tij, një biondeje të pashme, të cilën e merrte vazhdimisht me vete. Të gjithë e dinin se ai e kishte atë edhe dashnore, edhe pse në publik ai nuk e paraqiste kurrë atë si të tillë. Por, më pas ajo bionde u pushua nga puna, për arsye të panjohura. Marcus Konti shpalli konkurs për sekretare të re, e Jayda u dërgua që t'i ndihmonte, derisa të merrte fund procedura e përzgjedhjes.

Edhe pse nuk kishte mjaft kualifikime për të punuar si sekretare, Marcus Konti insistoi që ajo të mbetej në atë pozitë. Asokohe, Jayda nuk ishte në gjendje që ta kuptonte një vendim të tillë. Ajo mezi dinte si ta përdorte kompjuterin, nuk fliste asnjë gjuhë të huaj dhe, përpos kësaj, nuk ishte as e gjatë me trup e as atraktive, por një vajzë me bukuri normale. Ajo ishte naive dhe mendonte se Marcusi e përzgjodhi që të punonte me të për shkak se ishte e vyeshme dhe e sjellshme, për shkak se ishte treguar e gatshme që të përparonte dhe që të punësuarit në qendrën tregtare e donin. E, më pas, me të shkoi në një udhëtim zyrtar, gjatë së cilës periudhë ai e bëri atë të dashurën e vet. Kur mendonte më vonë për këtë gjë, Jayda mendonte se ai e kishte organizuar këtë udhëtim me qëllim që ta bënte për vete, respektivisht ta çonte në shtrat. Ajo nuk e kishte kundërshtuar këtë rol. Marcus Konti e kishte joshur me fjalët më të përzgjedhura. Afërsia e trupit të mashkullit kurrë për të nuk ishte përcjellë me spontanitet, por kërkonte një periudhë të caktuar për t'u mësuar, por me Marcusin çdo gjë ishte ndryshe. Atij iu dorëzua shpejt dhe me dëshirë, meqë nuk e përjetonte si të huaj. Edhe pse e dinte se Marcusi ishte i martuar dhe se kurrë nuk do të shkurorëzohet nga gruaja, Jayda ishte tepër e lumtur me atë lidhje. Ishte aq e lumtur me të, saqë nuk mund ta ndalte veten. I dukej se do të fluturonte. Ishte dashuruar në të me të shpejtë, me tërë fuqinë e vet, me tërë qenien e saj, duke u bërë si e marrë dhe e varur nga dashuria. Besonte se edhe ai kishte të njëjtat ndjenja ndaj saj, diçka më shumë sesa epshi.

Por, ishte gabuar. Me t'u kthyer në Detroit, Marcus u distancua nga ajo. U bë i ftohtë dhe formal, nuk i thoshte më fjalë të buta e as nuk e ngacmonte. Sillej sikur midis tyre të mos kishte ndodhur asgjë. Bota e Jaydes ishte rrënuar. Ishte e dëshpëruar, e zemëruar, e pikëlluar. Ndihej e mashtruar dhe e shfrytëzuar. Vendosi që të largohej, jo vetëm nga Marcusi, por edhe nga Detroiti. Por, një mëngjes, ai ia dha çelësat e një banese të madhe dhe të rehatshme, me mobilie luksoze. Atë moment Jayda kuptoi se çka donte Marcusi nga ajo: që të ishte dashnorja e tij sa herë që ai të donte, të shkonte në folenë e tyre të dashurisë. Aty kishin të gjitha të mirat: shtratin martesor, vaskën e madhe në banjë, pajisjen e klimës, aparatet e kuzhinës, etj. (vijon)

(Kosova Sot Online)