Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (2)

  • 12 November 2019 - 14:57
Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (2)

 Por, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi. Si mund të na bëjë keq pllaka? Ne vetëm pyesim për gjëra të thjeshta, si për shembull a u pëlqejmë djemve dhe a do të na ftojë ndonjëri në takim. Si mund ta fajësosh pllakën për gjëra të tilla?, the Ema duke e mbrojtur lodrën e saj të re. Shihej se ishte e habitur me reagimin tim. E vërtetë, reagova bujshëm, por kisha arsye të mirë për një gjë të tillë. Nëse dëshiroja që edhe vajzat ta kuptojnë këtë, më duhej t’ua tregoj të gjitha. - Ulu, i thashë vajzës sime, tani me zë më të qetë. – Edhe ti Doruntinë, nëse dëshiron. Mendoj se ka ardhur koha që ta dish se çfarë ka ndodhur kur unë isha e re dhe pse halla Remzie është aq e pikëlluar kur e kujtojmë të kaluarën. U ula në skaj të shtratit, e vajzat në dysheme, afër këmbëve të mia. Nuk kisha dëshiruar që t’ia tregoj më herët Emës këtë ngjarje, sepse nuk dëshiroja që ta frikësoj pa nevojë. Por, kur e gjeta pllakën në dhomën e saj dhe e vërejta fiksimin e saj pas thirrjes së shpirtrave, e dija se më duhej ta bëj një gjë të tillë.

- Ndodhi menjëherë pas shkollës së mesme, fillova unë kur në kërkim të një vendi të punës u shpërngula në qytet. Kjo ndodhi para se të njihesha me babanë tënd, dhe para se ai të punësohej, u njoftova me tri shoqe të reja: Lenditën, Bukurien dhe Remzien. Asnjëra prej nesh nuk kishim shumë para dhe banonim në dhoma të marra me qira. Një ditë kur Lendita u lodh nga pronarja e dhomës, e cila po e kontrollonte tepër, u pajtuam që do të ishte më së miri që të jetojmë së bashku. Mendonim që nëse do të kursenim nga pagat tona do të mund ta merrnim me qira në banesë me dy dhoma. Kërkuam për një kohë por më në fund e gjetëm një banesë. Ishim shumë të emocionuara në lidhje me këtë. Kalonim shumë mirë dhe të gjithave na dukej sikur ishim duke jetuar me motrat tona. Në atë kohë halla Remzie më njoftoi me vëllanë e saj, i cili sot është babai yt, i thashë Emës. - Pak pasi që unë dhe babai yt ishim në lidhje, ajo gjithashtu e nisi një lidhje me një djalë, me Bahriun. Duke pasur parasysh që babai yt dhe Bahriu po kalonin gjithashtu mirë njëri me tjetrin, ne u bëmë të pandashëm dhe shumicën e kohës e kalonim së bashku. Edhe dy vajzat e tjera, Lendita dhe Bukuria, gjetën të dashur ndërkohë, dy vëllezër, dhe nisën lidhje të lumtura me ta. Nuk mund të besonim se sa fatlume ishim. Secila prej nesh punonte, jetonim së bashku, e tani ishim edhe në lidhje të mira. Jeta me të vërtetë na dukej e mrekullueshme.

Një ditë vendosëm që ta organizojmë një aheng, në të cilin do të mblidheshim dhe argëtoheshim të gjithë: ne katër shoqet, të dashurin tonë dhe disa miq të tjerë. Bukuria dhe Lendita vendosën që ta ftojnë edhe një djalë të cilin unë dhe Remzia nuk e pëlqenim. Ai punonte në të njëjtin vend me Lenditën, por disi në praninë e tij gjithmonë nuk ndiheshim mirë. Ekzistonte diçka në sytë e tij që na tmerronte. Por, pasi që ato shoqëroheshin me të, u pajtuam që të vijë edhe ai. Në fund të fundit, banesa ishte edhe e tyrja. Rreth mesnatës, kur po argëtoheshim për mrekulli, djali të cilin nuk e pëlqenim e nxori një pllakë për thirrje të shpirtrave. E di ti Ema, se çfarë mendoj unë për gjëra të tilla. Jo që jam paragjykuese, por gjithmonë kam menduar që Zoti, po të kishim nevojë që ta dinim të ardhmen, me rastin e lindjes do të na jepte një udhëzues se si të kalojmë nëpër jetë. Për këtë arsye kurrë nuk kam dëshiruar që ta shqyrtoj të ardhmen time. Por, kjo jam unë, ndërsa shumë njerëz digjen nga dëshira që të mësojnë se çfarë do t’u sjellë e ardhmja. Ema dhe Doruntina e ulën kokën poshtë, duke e kuptuar që fjalia e fundit kishte të bëjë edhe me to. - U mblodhën të gjithë rreth pllakës në tavolinë dhe të gjithë bënin pyetje. Unë isha e ulur në skajin tjetër të dhomës dhe vëmendjen ma tërhoqi një bërtitje. Ishte Bukuria. Kur e pashë, i mbante duart në gjoks, sikur dëshironte që të mbrohet nga diçka. E nxitur nga kureshtja, u afrova që të shoh se çfarë po ndodh. Ajo po merrte frymë me vështirësi. Duke ndier që edhe vetë isha duke marrë vështirë frymë për shkak të kujtimeve të shëmtuara, e bëra një pushim të shkurtër. /Vijon/


(Kosova Sot Online)