Roman dashurie: Në kohë të duhur (7)

  • 17 November 2019 - 15:00
Roman dashurie: Në kohë të duhur (7)

KAPITULLI I SHTATË

Kur erdhi sërish në vete, ia doli që ta hapë njërin sy. Së pari e pa dritaren e madhe pa perde, e më pas provoi që t'i shikojë edhe pjesët e tjera të hapësirës, por dhimbja në kokë ishte aq e madhe, saqë nuk ia doli që ta bëjë një gjë të tillë. -U zgjua! Motër, i hapi sytë! Ishte nëna e Lenës. U përkul mbi të bijën dhe Lena i pa dy sy të mbushur me lot. -Po shkoj ta thërras mjekun. I thoni që të mos lëvizë, vetëm të rrijë e qetë. Dera u hap dhe u mbyll. Nëna po buzëqeshte dhe me kujdes ia lëmonte kokën të bijës. -Çdo gjë është në rregull, zemra ime. Çdo gjë është në rregull. Nëna është këtu. Në mendje kishte shumë pyetje. Ngadalë e hapi gojën. - Çfarë... ka... ndodhur? -Mos u mundo. Çdo gjë është në rregull. Do të jesh mirë. -A... jam... dhu... nuar? E priste përgjigjen. Tani e dinte që kishte shpëtuar, por priste që ta dëgjonte më të keqen. -Jo zemra ime. Pak ka munguar, por jo. -Si... nuk jam? Dikush më... ka... Lenën e tradhtoi zëri, kishte sforcuar shumë muskuj për të mundur që ta përfundojë pyetjen. Për fat të mirë nëna e kuptoi. - Po, dikush të ka shpëtuar. Por mos mendon për atë punë tani. Do t'i kuptosh të gjitha më vonë. Së pari shërohu. Në atë moment hyri mjeku. Gjatë 15 minutave në vijim ajo iu përgjigj pyetjeve të tij e më pas ia dhanë një injeksion, i cili e bëri të flinte shumë. E ndiente praninë e nënës dhe e lejoi gjumin që ta mbizotërojë.

KAPITULLI I TETË

Tri ditë pas arritjes në spital, Lena filloi që të ndihet më mirë. Personeli po përpiqej maksimalisht rreth saj. Ënjtja në sy po i reduktohej ngadalë, edhe pse ende ndiente dhe i shkaktonte dhimbje. Po fliste dhe po ushqehej në mënyrë normale, ndërsa të mavijosurat dhe gërvishtjet në trup ia tërhiqnin vërejtjen që të mos lëvizë më shumë sesa që është e nevojshme. Vazhdimisht e kishte dikë në vizitë, madje vinin edhe disa njerëz që i njihte vetëm sipërfaqësisht. Të gjithë kishin dëgjuar për sulmin dhe dëshironin që t'i ofrojnë mbështetje. Agimja po fliste me tërë zërin. -Unë kam faj, unë të ftova që të vish tek unë, e është dashur që edhe të të përcjell. Infermieret dhe nëna Ganja mezi e bindën që fajtor është vetëm sulmuesi. Atë ditë erdhën edhe dy hetues civilë. Më i vjetri u ul në karrigen afër shtratit, ndërsa më i riu po qëndronte te dera. -Ndoshta është ende herët që të flasim për sulmin, por do të jetë më lehtë, nëse e përfundojmë tani në mënyrë që ta harrosh sa më shpejtë këtë ngjarje. Pohoi duke e tundur kokën. Nuk e dinte se çfarë do ta pyeste, por dëshironte që të arrestohet sulmuesi. -A mundesh të na tregosh se çfarë ka ndodhur? Lena me mundim të madh filloi të tregojë gjithçka, prej momentit kur kishte dalë nga shtëpia e Agimes. Hetuesi i bënte shumë pyetje, gjë që ia bënte dhënien e përgjigjeve edhe më të vështirë. Filloi të qajë kur iu kujtua se si ia kishte shqyer bluzën. /Vijon

(Kosova Sot Online)