Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (4)

  • 25 November 2019 - 14:56
Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (4)

Dhe, sapo mendova se si do të mund të pushoja pak, u paraqit një kërkues tjetër borxhi. Kësaj here ata ishin miq tanë. Kjo ishte pika që e mbushi kupën dhe më bëri të mendoja sesi mund ta vrisja gruan time. Grindja që pasoi ishte më e keqja që kishim bërë ndonjëherë, gjatë 17 vjetësh martesë. - Nuk ka dyshim! - ia bëra duke tundur kokën. - Je bërë për çmendinë! Po, për Shtime! Sikur atëherë të thoshte diçka, sikur të ishte arsyetuar, ndoshta do të ndihesha më lehtë. Por, vetëm më shikonte, pa thënë gjë. Përnjëherë ndjeva brejtje të ndërgjegjes. Çka nëse ajo me të vërtetë është e sëmurë mendërisht? U ndala dhe e shikova me kujdes. Dukej tepër depresive. Për një moment harrova të gjitha borxhet dhe u përqendrova te gruaja. Mu largua tërë zemërimi që kisha ndier për të kohëve të fundit. E zgjata dorën dhe ia qita në prehër. - Blerta - fillova me zë të butë. - Më vjen keq që të bërtita - vazhdova me të njëjtin ton. - Shpresoj se më kupton pse u zemërova kur mora vesh se ke marrë përsëri para borxh? Edhe vet e di se sa vështirë është të kthehen borxhet, apo jo? Sikur vetëm tani të ishte vetëdijesuar rreth asaj që thosha. E mbuloi fytyrën me duar dhe ofshau thellë. - Ke të drejtë! Plotësisht jam çmendur! E më pas, shtoi: - Të lutem, më ndihmo! Në atë moment në fytyrën e saj u paraqit një pikëllim aq i madh, sa që mu bë sikur mu shtrëngua fyti, mu ndal fryma. - Oh, e dashur! - edhe unë ofshava dhe e mora në përqafim.

- Natyrisht se do të të ndihmoj - ia thash këtë duke ia përsëritur disa herë me zë të butë. Atë mbrëmje për herë të parë pas një kohe të gjatë fjeti e puthitur për trupin tim, e unë thuajse tërë natën mendoja se çka të bëja. I kisha premtuar se do t'i ndihmoja, por në fakt nuk dija si. Në fakt, më preokuponte edhe borxhi prej disa mijëra eurosh, që më dukej sikur barrë e rëndë mbi supe. Gjumi më mori vetëm pak para agimit. Të nesërmen gjithçka dukej më e qartë. Sapo u zgjova, e dija se çka duhej të bëja. - Blerta, zgjohu! Duhet të shkojmë te mjeku! - Por… - u mundua të kundërshtonte, ashtu e përgjumur sikur që ishte, por unë e ndërpreva menjëherë. - Pa asnjë "por"! Më beso, të lutem! Duhet të bisedosh me një person profesional. Unë do të vij me ty. Më pas, pasi që dëgjoi me kujdes tregimin tonë rreth pasurimit të papritur të fqinjëve tonë dhe depresionit që e kaploi gruan time, psikologu u mundua që të na shpjegonte se çka kishte ndodhur me Blertën gjatë muajve të fundit. Blerta dhe unë e dëgjonim me vëmendje. - Tërë jetën punoni dhe jeni të vyeshëm, por përkundër kësaj jeni të detyruar të jetoni në mënyrë modeste, duke hequr dorë nga shumëçka. Tani, papritmas, dikush afër jush, rastësisht u bë i pasur, gjë që te ju me gjasë ngjalli idenë se të gjithë përreth jush janë të suksesshëm, e vetëm ju nuk keni fat. Me një të tundur energjik të kokës, Blerta konfirmoi fjalët e psikologut. Ajo edhe m'i thoshte ato fjalë gjatë tërë kohës: se ne me gjasë ishim humbësit e vetëm në rruzullin tokësor dhe se, të gjithë të tjerët, kishin fat më shumë se ne. - Zhgënjimi juaj ka pasur nevojë për ngushëllim. Por, ku keni mundur ta gjeni atë? Te bashkëshorti i lodhur, i cili sikurse ju punon tërë ditën, që të mund të mbijetoni? Te miqtë, të cilët më nuk e ndajnë fatin tuaj? Jo. E, ku pra? Te shopingu! Blerta përsëri pohoi me kokë. - Sikur që ju thash më parë, kjo nuk është aspak e pazakonshme. Njerëzit shpesh gjejnë ngushëllim në këtë mënyrë. Ndonjëherë, sa më të vogla që t'i kenë mundësitë, aq më shumë ndjejnë nevojë për të blerë.

Ndonjëherë i kalojnë edhe kufijtë e arsyes, sikur që ndodhi në rastin tuaj. Duke dashur që të ngushëlloheshit me gjëra materiale, ju jeni zhytur në borxhe, duke mos menduar për pasojat. Thuajse çdo gjë tani e kishim të qartë. Fytyra e Blertës përfundimisht, pas muajve të tërë të agonisë, mori shprehje të qetë. Edhe unë ndjeja lehtësim. E dija se Blerta më nuk do të ma merrte fytyrën duke kërkuar para. - Dhe, do të doja t'iu thosha edhe diçka - tha psikologu, duke hequr syzat dhe duke shikuar fytyrën e Blertës, por edhe timen.

- Lumturia është një shprehje relative. Një është e sigurt, lumturia nuk është materiale. Ne të gjithë kemi nevojë për para, kjo është e qartë. Por, nëse kemi para aq sa për ta bërë një jetë modeste, atëherë duhet të jemi të lumtur. Kënaquni me të afërmit, me natyrën, me gjërat e vogla. Gjithçka tjetër do të zgjidhet vetvetiu. Do të shihni. Dhe, me të vërtetë ndodhi ashtu. Blerta dhe unë vazhduam me jetën tonë të lumtur, aty ku kishim mbetur atë mbrëmje kur na kishin trokitur në derë fqinjët tanë. E ata? Thënë sinqerisht, nuk e di si janë. Nga ai fitimi më nuk kanë kohë as për kafe, as për miq. Vazhdimisht vrapojnë poshtë e lartë. E, në bazë të fytyrave të tyre të mërzitura, mund të konstatoj se paratë nuk ua kanë larguar të gjitha brengat. FUND

(Kosova Sot Online)