Roman dashurie: Në kohë të duhur (21)

  • 01 December 2019 - 15:07
Roman dashurie: Në kohë të duhur (21)

KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË

Ganimetja e shikonte të bijën sesi me nxitim vraponte nga vetura për në shtëpi. Menjëherë e diti se kishte ndodhur diçka, por kjo gjë tani e frikësonte. Derisa e lavdëronte Petritin, ajo në fakt fare nuk mendonte se një djalosh i tillë mund të dashurohej në Lenën, sidomos pas asaj që kishte parë, por këtë e bënte vetëm që të bijës t’ia largonte mendimet e këqija. Tani, derisa e shikonte të bijën duke iu afruar, mendonte rreth rrezikut nga të dashuruarit dhe lidhjes me Petritin. – Tung nënë, shpresoj se nuk je shqetësuar. – Jo, jo. Hë? Si ishte? – Shumë mirë! Po shkoj të bëj dush. – Nëse ke uri, e ke darkën në furrë. – Jo, nuk kam uri. Hëngrëm jashtë. Gjysmë ore më vonë, e ëma hyri në dhomën e Albulenës dhe e gjeti atë duke shikuar tavanin. – Çka je thelluar kështu në mendime? – Ashtu... – A mos ndodhi diçka? – E, çka mund të ndodhë? – Mos ke rënë në dashuri? Lena buzëqeshi. Besonte se nuk kishte arsye ta fshihte të vërtetën nga e ëma, meqë edhe asaj i pëlqente Petriti. – Mendoj se po. Por, më e mira është se edhe ai dëshiron të më shohë mua përsëri. – Me të vërtetë? – Po, po. Ma tha vetë. – Mendoj se duhet të kesh kujdes. Albulena u rrëqeth. Në zërin e së ëmës hetoi atë hezitimin e saj të vjetër rreth meshkujve, të cilët sipas saj, vetëm të shfrytëzojnë dhe të lënë. – Çka po thua? Po ti edhe vetë më the se ai është i bukur dhe i këndshëm? – Po, thash. Por, kjo nuk d.m.th se mendova që ai është i mirë për ty. – Pse? – Kupto se ku jemi duke jetuar. Zor se mund të ketë ndonjë mashkull i cili mund të pajtohet me faktin që e dashura e tij për pak sa nuk ishte dhunuar. – Por, unë ende nuk jam e dashura e tij... E, mesa shoh, ai nuk mendon se jam e ndytë për shkak të asaj që më ka ndodhur. Dhe... ai e di që ende jam... e virgjër. – A edhe këtë temë e keni diskutuar, a? – E kemi përmendur... atë mbrëmje. – Unë vetëm dua të ta tërheq vërejtjen. Ti je e dobët dhe ai e ndien këtë. Pas këtyre fjalëve Ganja doli nga dhoma, kurse Albulenës iu duk sikur tërë bota iu shemb përmbi.

KAPITULLI I NJËZETË

E thirri të nesërmen dhe e ftoi që të shkonin në kinemanë e re, e cila ishte bërë hit në qytet. Ajo pranoi pa hezitim. Kur ia tha së ëmës se donte të dilte me Petritin, hasi në kundërshtime. – Ke rënë në dashuri e tani i shkon prapa si dele. Por, nejse! Nëse nuk dëshiron të mësosh nga unë, atëherë mëso nga dështimet tua! Nuk më intereson ku shkon dhe me kë shkon. Asgjë nuk mund ta pengonte Albulenën që të shihej me Petritin. Ajo e dëshironte një gjë të tillë. Zgjodhi edhe një kreacion të saj – një pallto të ngushtë ngjyrë të kaltër të çeltë dhe një fund të bardhë me palë. Rreth qafe e vuri një shall, e në flokë vuri kapëse të kaltra. (vijon)

(Kosova Sot Online)