Roman dashurie: Në kohë të duhur (26)

  • 06 December 2019 - 15:14
Roman dashurie: Në kohë të duhur (26)

Disa herë u end rrugicave ku nuk kishte qenë kurrë. E djersitur dhe e sfilitur, kurrsesi nuk dorëzohej. Sapo e njihte ndonjë ndërtesë, ndonjë park, a përmendore, merrte frymë më lirshëm dhe vazhdonte tutje. Kur përfundimisht arriti në shtëpi, kishin kaluar rrafsh dy orë e gjysmë prej se kishte ikur nga kokteji, sikur e përhitura. U step kur e pa xhipin e Petritit të parkuar para dere. Hezitonte të hynte brenda, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Me asnjë çmim nuk do të kthehej sërish për të ecur e vetme, natën.

Petriti dhe Ganimetja kërcyen të kapur nga paniku kur Albulena hapi derën me vrull. Kur para tyre doli Lena me flokët e shprishura dhe me fytyrën e skuqur, Petriti e shikoi sikur të shihte ndonjë çudi, derisa e ëma filloi të lëshonte lotët e lehtësimit. - Bijë, ku je, pashë Zotin? Albulena nuk ishte e gatshme të jepte shpjegime, të paktën jo para Petritit, prandaj u kthye kah ky i fundit, me zemërim. - Çka po lyp ti këtu? - Qysh çka po lypi? Mu zhduke para syve, celularin nuk e hapje, u çmenda nga meraku. Çka të gjet që ike ashtu, pa lajmëruar? Mos të ofendoi ndokush derisa ishe duke shkuar në tualet? - Askush nuk më ofendoi, por ndjeva se nuk duhej të isha aty. - Pse, mori?

Po, ti më the se ndiheshe mirë. - Ndihesha mirë deri në një moment, më pas jo. - E, pse nuk më the asgjë? Do të mund të largoheshim sikur ta dija se nuk të pëlqente. - Mua nuk më pëlqente, por si duket ty po. Nuk doja të të pengoja derisa e shikoje atë femrën tjetër. Ganimetja papritmas ktheu shikimin kah Petriti. Ajo sikur automatikisht u vu në anën e së bijës, por Petriti vazhdonte të ishte i hutuar. - Çka je duke thënë, Albulena? - E di mirë ti se çka jam duke thënë. E shikoje atë femrën me fustan të bardhë, sikur të ishe i magjepsur. Mua më harrove plotësisht, thjesht, sikur të mos ekzistoja fare. Tani e kishte të qartë. Mori frymë lirshëm dhe ia dha vetes disa sekonda që ta merrte veten dhe ta ulte tonin e zërit. - Duhej të më tregoje se ajo gjë të pengonte.

Do të mund të t'i shpjegoja disa gjëra. Ikja nuk i zgjidh problemet. - Mënyrat e tjera nuk më interesonin. Pashë se midis jush ekzistonte diçka. Nëse jam e virgjër, nuk jam budallaqe. Më fal, por shpirti im romantik nuk mund të jetë pranë një njeriu, i cili ëndërron për një femër tjetër. Petriti e hetoi shikimin therës të Ganimetes, të drejtuar kundër tij, prandaj filloi të ndihej në siklet. - A mund të bisedojmë diku vetëm ne të dy? Ganja menjëherë reagoi.

- Pse? Çka keni për të fshehur nga unë? Unë jam nëna e saj. - Zonjë, përkundër respektit të thellë ndaj jush, megjithatë më duhet t'ju them se lidhja ime me Albulenën diçka vetëm e jona dhe se, së pari, duhet ne të dy të sqarojmë disa gjëra. Lena, të lutem hajde të dalim para shtëpie vetëm për dhjetë minuta. Ishte duke menduar se a të fliste me të, apo menjëherë t'i thoshte të dilte jashtë. Për tërë atë që përjetoi atë mbrëmje mendonte se fajin e kishte Petriti. Por, pasi shikoi edhe një herë sytë e tij të kaltër, iu bë e qartë se, megjithatë, ia kishte borxh një bisedë. (vijon)

(Kosova Sot Online)