Roman dashurie: Në kohë të duhur (32)

  • 12 December 2019 - 15:15
Roman dashurie: Në kohë të duhur (32)

Kur më pas kuptuan se bëhet fjalë për një shtëpi, një vilë në det, për një numër të madh të aksioneve në kompani të ndryshme, për një llogari goxha të majme bankare dhe për një firmë që ishte e vlefshme shumë para, Ganimetes dhe Lenës iu bë e qartë se ishin bërë të pasura. Kënduan e kërcyen, u puthën e përqafuan deri natën vonë, ndërsa para mëngjesit Lena për herë të parë i tregoi nënës se çfarë dëshiron që të bëjë me një pjesë të parave, ta hapë punëtorinë e saj me kreacione unike me nënshkrimin e saj. Nëna e dinte që Lena e kishte ndonjë plan të ngjashëm, por tani një gjë e tillë mund të realizohej, dhe u morën vesh që ta bëjnë një gjë të tillë.

- E, më pas, ne të dyja do t'ia ofrojmë vetes një udhëtim diku ku nuk kemi menduar kurrë të shkojmë, p.sh në Romë, Pragë, apo Paris. OK? - Nënë, kjo do të ishte shumë mirë, por hajde të lutemi pak për shpirtin e babait të ndjerë. Ndoshta atij nuk do t'i vinte mirë që e trashëguam pasurinë e tij, por kështu disi çdo gjë erdhi në vendin e vet. Atë që e kishte refuzuar gjatë jetës, i erdhi në vdekje. Dhe, mendoj se do të duhej t'ia falnim gabimet që i ka bërë ndaj nesh. Duke na lënë trashëgiminë, disi ai u shpagua për atë që ka bërë. - Edhe unë pajtohem me ty, bijë. Tani edhe unë jam e gatshme t'ia fal. Megjithatë edhe kur e urreja, unë e kam dashur tët atë.

KAPITULLI I TRIDHJET E NJËTË

Punëtoria punonte me tërë kapacitetin. Ekipi TV së pari vizitoi butikun në qendër të qytetit, ku shiteshin modelet unike, e më pas edhe në shtëpinë ku kishin bërë një punëtori të vogël të rrobaqepësisë, ku Lena dhe nëna e saj punonin me zell. Shumë shpejt butiku i Albulenës u bë i famshëm edhe në mesin e femrave VIP. Këngëtaret, aktoret, udhëheqëset e emisioneve me dëshirë blinin kreacionet e saj, për të cilat e dinin se nuk i kishte askush tjetër. E, meqë as çmimet nuk ishin tepër të larta, shumë femra të tjera iu ishin bërë myshterinj të rregullt. Lena shkëlqente nga gëzimi. Ndihej e realizuar me punën që bënte dhe ishte krenare për veten dhe të ëmën. Arriti sukses në profesion dhe vetëm përparonte. Tanimë kishin filluar ta ftonin edhe në revy të modës, ku me sukses paraqiste kreacionet e veta. E vetmja gjë që e mundonte, ishte mungesa e Petritit. Donte ta dinte a kishte dëgjuar ai për suksesin e saj dhe se a ishte penduar që ndaj saj ishte sjellë pa pikë kulture. Si një femër e suksesshme në biznes, asaj i vardiseshin shumë meshkuj. Kishte ndryshuar edhe pamjen e vet - i kishte ngjyrosur flokët në të verdhë. Kishte mundësi të blinte preparate të shtrenjta kozmetike dhe, thjesht, rrezatonte nga gëzimi për fatin e mirë që e kishte gjetur. Kur atë mëngjes arriti në butik, kishte filluar të binte bora e parë. Lena solli disa pallto të dimrit, të sapoqepura me makinën më të re, të cilën sapo e kishin blerë. (vijon)


(Kosova Sot Online)