Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës te fallxhorja (3)

  • 15 January 2020 - 15:03
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës te fallxhorja (3)

- Pra, për çfarë shifre bëhet fjalë? – më pyeti derisa unë po provoja ta gjeja një mënyrë për ta larguar Petritin nga ajo. - Si? Nuk jam e sigurt se po ju kuptoj – i thashë unë. - Mendoj në martesën tuaj. Për sa kohë tashmë e ndani të mirën dhe të keqen? – pyeti ajo, e mua nuk më kaloi i pavërejtur sarkazmi në zërin e saj. - Pak më gjatë se tetë muaj – u përgjigj Petriti për mua. - Pra, ende jeni të dashuruar – vazhdoi ajo në mënyrë joshëse duke qeshur. – Por, ndoshta do të mund të dilnim një ditë për kafe. Kam dëshirë që të njihem më mirë me bashkëshorten tënde – tha ajo pa asnjë pikë turpi duke e shikuar atë drejtë në sy. Ajo me të vërtetë nuk ka turp. Flirton me bashkëshortin tim, dhe atë para meje. Këtë nuk do ta lejoj, mendova unë duke e shtrënguar dorën e Petritit.

- Do të të lajmërojmë sapo të kemi kohë. E tani na falni. Po shkojmë që t’i përshëndesim edhe disa mysafirë – thashë unë duke buzëqeshur. - Mirë, më erdhi mirë që të pashë. Shpresoj se do të shihemi edhe ndonjë herë para se të kthehesh në Gjermani – tha Petriti derisa po largoheshim. Në rregull, dëgjohemi – u përgjigj ajo duke buzëqeshur, edhe pse shihej qartë se nuk e kishte pritur një zhvillim të tillë të ngjarjes. Shumë kohë pas kësaj e ndjeva shikimin e saj, por besova se e zgjidha problemin. Dy ditë më vonë gjërat megjithatë ndryshuan dhe atë, për fat të keq, jo edhe për të mirën time. Derisa atë të hënë para se të shkonim në punë, Petriti, vjehrra dhe unë ishim duke ngrënë drekë kur bashkëshortit tim i cingëroi telefoni. Kur e shikoi ekranin, mu duk se u zbeh. Më befasoi kur edhe pse cingëronte e ktheu atë në xhep. - Le të cingërojë. Edhe ashtu nuk është diçka e rëndësishme – tha ai. - Jeta ka qenë shumë më e thjeshtë para paraqitjes së telefonave mobilë. Njeriu nuk mundet as të hajë drekë i qetë – tha vjehrra ime. Sapo e përfundoi fjalinë nga setra e Petritit sërish u dëgjua cingërima e telefonit. Fytyra e Petritit tani u bë e kuqe. - Këta furnizuesit me të vërtetë dinë të jenë këmbëngulës – tha duke u ngritur nga karrigia. –Do të bisedoj me të në korridor. Vazhdoni ju – shtoi duke e shmangur shikimin tim. Ndoshta nuk e njihja gjatë Petritin, por e dija se është duke fshehur diçka nga unë, e kjo padyshim ishte një prej atyre situatave. E pyesja veten se kush është telefonuesi sekret për shkak të të cilit bashkëshorti im djersitet aq shumë, dhe me të cilin bisedon në korridor, larg prej veshëve të mi. Ose ndoshta edhe e di, mendova unë e zemëruar. - Më duhet të shkoj në punë. Shihemi në mbrëmje – thashë dhe u ngrita nga karrigia. Vjehrra më shikoi me habi.

- Ku po shkon kaq herët? Nuk hëngre asgjë. Përveç kësaj, a nuk të fillon ndërrimi në dyqan në orën një?!- më pyeti. Kjo mjaftoi që unë ta humb kontrollin. - Shkova dhe pikë! Sa më larg prej kësaj shtëpie, sa më larg Petritit dhe mashtrimeve të tij! Jam lodhur! Dhe, i thoni birit tuaj që të mos harrojë që ta përshëndetë Sarën për mua! – bërtita e mllefosur duke e kapur çantën. Pesë minuta më vonë, e përlotur, e pashë veten duke u shëtitur pa ndonjë qëllim nëpër rrugë. Mendimet i kisha të përziera, ndërsa po më brente xhelozia. Me siguri i ka telefonuar që të merren vesh për takimin. E pafytyra! Si mund t’i vidhte bashkëshortët e të tjerave? Çfarë jam duke bërë? – e pyeta veten në gjendje të zhgënjyer. - Hej, fitore! – papritmas e dëgjova një zë të njohur. Vetëm edhe ajo më mungonte, mendova unë. Para se të kthehesha, me mëngë i fshiva lotët. - Tung Minire. Prej nga ti këtu? – i thashë unë kinse e befasuar. - Po unë banoj këtu, të kujtohet? – tha paksa e habitur. – Dola për të blerë diçka. E ti? Çfarë bën ti në lagjen time – më pyeti. Duke e ditur se pas qarjes me siguri dukem keq, e ula kokën. - A po më duket apo ti sapo ke qarë? Fitore a është çdo gjë në rregull? – më pyeti me kujdes. - Jo edhe aq në rregull – u përgjigja unë pas një mendimi të shkurtër duke e kuptuar që nuk mund të humbi asgjë me të. - Jam vetëm në shtëpi, e deri në fillim të ndërrimit kemi edhe pak kohë. Eja tek unë të pimë kafe dhe atëherë nëse do mund të më tregosh çfarë ka ndodhur – më tha. (vijon) 

(Kosova Sot Online)