Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (1)

  • 29 January 2020 - 15:02
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (1)

Ndonjëherë nuk mund ta kuptoja si dinin gjyshet ta parashikonin motin. Ishin meteorologë më të mirë sesa këta të sotshmit. Nuk kishin nevojë për kurrfarë instrumentesh për shtypje, lagështi, ciklone dhe anticiklone. Ato i kishin metodat e tyre të dëshmuara. Verës i shikonin dallëndyshet dhe thoshin: shpezët fluturojnë ulët, do të bjerë shi. Ndonjëherë mbanin shpinën me dorë, herëve të tjera e dinin nga dhembja e kokës, e disa herë motin e parashikonin duke shikuar tymin e oxhakut. Por, kjo nuk është e tëra. Kishte ditë të caktuara kur ato e parashikonin motin për një muaj, apo edhe për një vit të tërë. Unë, fatkeqësisht, nuk i kam mbajtur në mend të gjitha ato data dhe mënyra të parashikimit të motit, por kam trashëguar talentin e parashikimit të motit.

Askush këtë nuk ma konsideron si virtyt, por në vend të kësaj më quajnë meteoropat, me demek dikush që preokupohet vazhdimisht me motin. E, këtë pranverë, talenti im kishte pasur rastin që të dëshmohej. Pranvera ende nuk kishte ardhur mirë, kur kishin filluar ditët me shi. Të gjithë kishin lënë anash pajisjet e skijimit, kapelat, dorëzat, palltot me pendla dhe kishin nxjerrë nga ormanët rrobat më të holla. Gjithçka dukej bukur dhe mirë. Armendi dhe unë ishim në udhëtim nëpër Toskanë. Nguteshim ta zinim pak diell, para se ai ta nxehte edhe pjesën kontinentale të vendit. Udhëtimi ishte i bukur dhe i këndshëm, e do të ishte edhe më i mirë sikur të mos kishte celularë dhe laptopë. Ata ma prishnin romantikën. Por, ç'të bëja. Armendi është një biznesmen i ri, krenaria e babait të tij, pronarit të një autosalloni me nam. Dhe, ambiciet e tij nuk kanë të bëjnë vetëm me autosallonin, por ai dëshiron që ta zgjerojë biznesin edhe në fusha të tjera. - Kriza është kohë e duhur për të guximshmit - më thotë ai vazhdimisht - tani është koha adekuate për të blerë tokë, flori, vepra artistike dhe gjëra të tjera, të cilat njerëzit i shesin gjatë ditëve të zeza. Kriza do të kalojë një ditë e, kur të ndodhë një gjë e tillë, atëherë investimet do të kthehen shumëfish. Nuk është se nuk ia vija veshin, por nuk isha e gatshme që të mendoja rreth kësaj teme derisa kënaqesha në peizazhet plot qiparisa. E, ma merr mendja se pajtoheni me mua që Firencja dhe Piza nuk janë vende për t'i dërguar sekretares porosi sms. Unë nuk doja të isha në Itali vetëm me trup. Doja që atë edhe ta përjetoja, jo vetëm me të gjitha shqisat, por edhe ta mbaja mend për vitet e ardhshme. Më pëlqen që të mbledh kujtime për momentet e bukura. E, për t'i mbajtur ato mend sa më mirë, më duhet të flas për detajet, për t'ua treguar fotot shoqeve, të afërmve. Armendi nuk ka aq shumë mirëkuptim për këtë. - Ishim atje, ishte bukur, por tani ka mbaruar. Vër pikën dhe, përpara! Dhe, nuk mund të mos më bie në sy se, derisa ne kemi shëtitur nëpër Firence, këtu njerëzit janë takuar, kanë lidhur kontrata pune. Përpos kësaj, ai udhëtim për mua e ka edhe anën tjetër. Është bërë shumë e qartë që disa kompani do të falimentojnë, se pasuria e dikujt do të shitet në ankand. Të gjitha këto janë informata të rëndësishme profesionale, nga të cilat varen veprimet e mëtejme - më shpjegoi ai, paksa i nervozuar nga tregimet e mia. Ai kështu edhe mendonte. Unë në anën tjetër mendoja rreth njeriut, apo kompanisë, pasuria e së cilës, e cila ishte fituar me mund për një kohë të gjatë, tani do të shitej në ankand, me një çmim simbolik. Si do të ndihen ata njerëz? Më kaplon tmerri vetëm kur mendoj për këtë. Më dhimbseshin edhe njerëzit që nuk i njihja. Ky nuk ishte një fillim i mbarë për të hyrë në raporte biznesore, por nuk kisha ç'të bëja.

Unë nuk e shikoj botën sikur Armendi, për mua numrat nuk janë aq të rëndësishëm sikurse për të. Udhëtimi në Itali më ngazëlleu, por ma kujtoi se edhe te ne ka vende të mrekullueshme, në të cilat nuk kam qenë kurrë. Do t'ia vlente që të gjenim kohë dhe t'i vizitonim të gjitha, pa u ngutur. Nuk jemi të detyruar që të shkojmë larg për të shijuar ajrin e pastër, peizazhet e bukura, qetësinë e shenjtë... Pse p.sh. gjatë fundjavave të mos dilnim në piknik me biçikleta? Nuk është e thënë që çdokund të shkojmë me automobil. Fillova t'i flisja Armendit për përparësitë e piknikëve të tillë, duke i thënë se kjo do të na e zbukuronte jetën. Sigurova disa fotografi për t'ia treguar edhe atij mrekullitë e Mirushës, Blinajës, Velipojës. Ai nuk ishte i entuziazmuar sikurse unë, por nuk më refuzonte. Bile, vendosi të më mbështeste. I tha sekretares së vet që të ma blinte një biçikletë të mirë dhe të ma dërgonte në shtëpi. Për hesat të tij, ky muhabet kishte marrë fund me kaq. (vijon) 


(Kosova Sot Online)