Roman dashurie: Punë fati (33)

  • 19 February 2020 - 15:15
Roman dashurie: Punë fati (33)

-Faleminderit që ma thatë. A i di Çuni të gjitha këto që po m'i thua tani? -E di. Ishim tek ai një orë para se t'i dërgonim njerëzit për te ju. -Çfarë tha? Si kishte reaguar? -Ai kishte menduar se është kjo në pyetje, vetëm se nuk e dinte se kush i kishte porositur ta bëjnë në këtë gjendje. Tani e di. -Ju faleminderit, inspektor. Vetëm edhe një pyetje të vetme. -Thuaje? -A po futet diku këtu ai Valoni? -Për fat të keq, jo. Thonë se e kanë bërë vetëm ata të dy. -Mirë. Edhe njëherë faleminderit. -Nuk ka përse. Nga stacioni doli plot mllef, duke menduar se si njerëzit mund të jenë aq të këqij dhe jofalënderues.

KAPITULLI I NJËZET E NJËTË

Provonte të kalonte deri te dhoma e Çunit, por nuk kishte sukses. Përsëri gazetarët e kishin pushtuar rrethin e spitalit, të uritur për lajme të freskëta rreth asaj se kush e kishte bërë atentatin. Po qëndronte ashtu e pafuqishme në kopshtin e spitalit, duke mos e ditur a t'i lajmëroj Çunit me celular se si do të kthehej në shtëpi apo të presë edhe pak kohë në mënyrë që turma të pakësohet. Kishte filluar një shi i imtë, e ajo nuk kishte ombrellë. Për një moment flokët i kishte të lagur, nga pak e mllefosur pse ishte këtu. Nuk ishte e sigurt çfarë do të bëjë Çuni në lidhje me ata dy, por e dinte se kohët e fundit ishte mbështetur te ajo dhe në njëfarë mase i kishte treguar se ishte mësuar me të. Nuk mund ta fajësonte për gjithçka pse ishte ashtu, vetë e kishte potencuar këtë lidhje, vetë kishte pranuar të jetë e dashura e tij kur nuk mund të ishin kombinimi më i mirë i mundur. -Nuk e di, por gjithsesi se do të ftohesh nëse edhe më tutje vazhdon të qëndrosh ashtu në shi, thuajse të janë fundosur të gjitha anijet, e edhe ti bashkë me to. U trondit dhe u kthye. Ia kishte njohur zërin, por iu desh të bindej. Miloti po qëndronte me një pallto të gjatë me duar në xhepa.-Mos u brengos për mua, unë jam shumë mirë. Pak shi vetëm sa do të ma freskojë lëkurën.

Deshi të shkonte, të rrinte vetë, sepse shoqëria e Milotit gjithnjë ishte shqetësuese, kështu që nuk e dinte se çfarë do të bënte me duart. -Isha lart në dhomën e Çunit. Të pashë derisa po qëndroje këtu jashtë. Ai më luti të dërgoj në shtëpi, sepse sonte është e pamundur t'i ofrohesh pranë. -Mendoj se po më gënjen. Fjalët e Milotit, pa marrë parasysh a ishin apo nuk ishin të vërteta, gjithnjë tingëllonin si gënjeshtra. -Më dëgjo, vajzë kokëfortë, nuk jam aq budalla të lus që me atë prapanicë të lagur të futesh në makinën time, të ma dëmtosh ulësen dhe si princeshë të dërgoj në shtëpi. Vëllai më luti, sepse i vinte keq të qëndrosh ashtu në kopsht. Mes të tjerash, dikush mund të shohë dhe të dukesh si lypës. Edhe ashtu më intereson ta di si do të reagosh nëse ndonjë gazetar do të ofrohej. /vijon/


(Kosova Sot Online)