Roman dashurie: Sharmant apo romantik (1)

  • 28 April 2020 - 15:34
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (1)

Kapitulli i parë

Nja dhjetë minuta kontrolloi në çantë për të parë ku i kishte çelësat e banesës. Koka i ishte turbulluar, e këmbët i dridheshin. E mallkonte gotën e fundit të shampanjës që e kishte pirë, e sigurt se vetë e kishte fajin që nuk mund t’i kontrollonte veprimet e veta. Dalja me shoqet kishte kaluar sikur edhe qindra të tjera më parë – nëse asgjë tjetër, kishin vallëzuar dhe pirë derisa ua kishte dashur qejfi. Do ta rrente veten sikur të thoshte se si shpresonte që mbrëmja e së shtunës të ishte ndryshe, se do t’i sillte diçka të re, ndonjë mashkull, ndonjë paralajmërim të dashurisë, njohjes... Çfarëdo qoftë që do ta gëzonte edhe të nesërmen kur ta kujtonte. Kishte kohë që ato daljet me shoqe ishin reduktuar vetëm në një dhembje të madhe të kokës nga pirja e alkoolit dhe në pyetjen deri kur do të vazhdonte kështu. Përfundimisht e gjeti çelësin në astarin e çantës së kaltër, e cila përshtatej për mrekulli me fustanin e saj të kaltër e të ngushtë, i cili i vinte deri te gjunjët. Sapo shkeli në banesë, Sheqerja u drejtua kah shtrati. I ishte turbulluar gjithçka, merrte thua në mobilie, mezi gjeti ndërprerësit e dritës, por meqë ishte mësuar me gjëra të këtilla, vetëm vazhdoi përpara, duke lëshuar ndonjë të sharë të rastit. U hodh në shtrat ashtu e veshur në çarçafin e zi të mëndafshtë, e vetëdijshme vetëm për marramendjen e vet.

Atë mbrëmje ia dërgoi një mesazh Gëzimit, ku i thoshte vetëm se mendonte për të. Dhe, e pyeste veten pse kishte vepruar ashtu. Pse sa herë që i turbullohej mendja nga vera, mendonte për ish të dashurin me të cilin ishte ndarë para më shumë se një viti. Kur ishte esëll, thoshte se Gëzimi nuk kishte më rëndësi për të dhe se ato mesazhe kur ishte e dehur, ia dërgonte atij, meqë nuk kishte kujt tjetër. Megjithatë, me të kishte kaluar dy vite të plota, e pas tij nuk kishte pasur asnjë mashkull i cili do t’i pëlqente. Të gjithë ata që i takonte ishin raste të humbura, të mirë vetëm sa për ta argëtuar disa orë. Por, derisa ishte e dehur, Gëzimi i paraqitej si fantazmë, e nxirrte kokën nga secila gotë dhe ia kujtonte ditët kur kishte besuar se ai ishte dashuria e saj e përjetshme. Qante dhe çarçafi i mëndafshtë thithte lotët e saj, të përzier me maskarë.

Ndihej e vetmuar, e pavlerë, e humbur në jetën personale. E fajësonte zemrën e saj të fortë dhe nazet, të cilat sipas saj e kishin fajin që edhe atë natë do ta kalonte në vetmi. Kishte gjasë që ta ftonte ndonjërin nga ata që i bënin lajka në banesë, por jo, që të gjithë i mohonte, sikur të mos i duhej askush. Nuk mundej të lidhej me dikë vetëm hajt, ashtu, sa për t’i kënaqur nevojat fizike. Këtë e konsideronte të metë të veten. Gjumi i trokiti te sytë vetëm kur rrezet e para të diellit depërtuan nëpër dritare, duke e detyruar ta zhyste kokën në jastëk, ku gjeti errësirën e plotë. (vijon)

(Kosova Sot Online)