Roman dashurie: Sharmant apo romantik (31)

  • 01 June 2020 - 15:29
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (31)

- Ti më pëlqen. Edhe më shumë se aq. Prandaj, nuk mendoj se duhet të bëjmë diçka në shpejtësi, sepse do të mundemi shpejt të ngopemi nga njëri-tjetri. Nëse dëshiron kombinim apo një natë me seks, atëherë unë jam personi i gabuar. Së paku kur ti je në pyetje. Më pëlqen, me ty nuk e ndiej kalimin e kohës, kjo sjell një çmenduri në jetën time. Ndihem sikurse të kem grabitur nga dikush tjetër, ndoshta nga e dashura jote, nuk e di. Shpejt u kthye në drejtimin tim. - Dëshiron të më thuash se me mua po heziton shkaku i dikujt tjetër, i ish tëdashurës sime? Unë me të për një kohë të gjatë nuk kisha gjë, ajo ishte një vajzë e momentit, e cila m'u gjet në rrugë dhe dëshiroja ta shtoj numrin e vajzave që kishin kaluar në shtratin tim. Për një moment u shtanga. Mirlindi nuk kishte lidhje me atë që i kishte ndodhur. Ai vetëm ishte një arsyetim i mirë për frikën e saj nga mossuksesi.

Po, tash e kishte të çartë se Petritin e kishte refuzuar nga frika se ai do ta lëndojë. Nga Mirlindi nuk kishte frikë, krejt çfarë kishin mes vete ishte jashtë kohës, jashtë përditshmërisë, që ngjante në një ëndërr të bukur, e zhgjëndrra pas një realiteti të tillë nuk mund të dhembë shumë. Petriti është real. Ai ekziston këtu, në rrugët e saja, ai nuk është i fshehur diku në zyrë, nuk mbulohet me qetësi dhe nuk flet fjalë të mëdha. Mirlindi di ta vlerësojë seksin, nuk e merr si desert pas natës i lënduar nga shokët, nuk e lë pas dore atmosferën dhe është gjithmonë i saj, i takon kur bëjnë dashuri dhe kur shikohen fshehurazi. Petriti është diçka krejt ndryshe. Është shumë real dhe kjo po e frikëson. - Nuk është problemi te e dashura e Petritit. Problemi është tek unë. Natën e mirë. Nuk ia kishte kthyer përshëndetjen e as që kishte tentuar t'i thotë diçka kur kishte dalë nga vetura. Vetëm i dha veturës gaz, thuajse po nxiton diku tjetër, te një femër tjetër, më pak e komplikuar. Sheqerja po sillej nëpër shtrat, duke lutur gjumin në mënyrë që për pak kohë të lirohej nga mendimet e saja. Po krahasonte Mirlindin dhe Petritin. Çudi, kur ishte në Greqi, krejt kishte harruar për djaloshin që e kishte takuar në rrugë dhe se po e priste thirrjen e tij.

E kur ishte takuar me Petritin thuajse e kishte fshirë Mirlindin nga mendja. Tash që të dy ishin aty. Kishte mundësi të bënte zgjedhje, por vendimi ishte i rëndë. Mirëpo, diçka po i thoshte se Mirlindi i takonte të kaluarës, se ishte një hije, me të cilën do të takohej shkaku i angazhimeve në punë, derisa Petriti ishte aty, nga gjaku dhe mishi. Prandaj kishte marrë telefonin celular dhe e kishte thirrur. Ishte lajmëruar në telefon e nga zëri dukej se ishte i befasuar. - Ke harruar të më thuash diçka? - Jo. Kishte marrë frymë thellë për tu përgatitur për fjalinë e ardhshme. - Nuk kam më shumë për të thënë. Vetëm dua të ta vërtetoj. A e ke vështirë të vish deri te unë? /vijon/

(Kosova Sot Online)