Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (46)

  • A.P /
  • 17 August 2020 - 15:32
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (46)

E unë i kam lejuar vetes që ta përkrahja Doruntinën, mendoi Redoni, duke ndier një urrejtje të madhe ndaj vetvetes. Sa shumë kishte gabuar... Sa shumë gabime kishte bërë! - Çka ndodhi me babanë tënd? – e pyeti me druajtje, duke u frikësuar nga më e keqja. - Ka vdekur, pesë vjet më parë. Nga cirroza e mëlçisë. Provova ta pengoja vdekjen e tij. Ia dërgova paratë e para që i fitova, me qëllim që ta nxisja që të shërohej nga alkoolizmi. Sikur edhe që mund ta marrësh me mend, ai tërë ato para i shpenzoi nëpër kafene. Më pas ia pagova trajtimin në një qendër rehabilituese, jashtë shtetit, por ai iku nga aty. Paratë e mia nuk mundën t’i ndihmonin.

Sikur që as mua, përndryshe paratë nuk ma sollën lumturinë. Xhepat e plotë ma sollën sigurinë financiare, por jo edhe atë që e dëshiroj më së shumti, dashurinë dhe ambientin familjar. Redonit, në atë moment delikat të rrëfimit të Laurës, iu kujtua diçka që kishte kohë që kishte lexuar rreth dashurisë. Dikush kishte shkruar se dashuria nuk iu takon atyre që janë të përkryer, por, përkundrazi, atyre që janë të dobët dhe të brishtë, të cilët në vetvete bartin mundimin e brendshëm. Deri në atë moment ai e kishte konsideruar Laurën si një femër me bukuri të përkryer, si dashnore, afër së cilës ndihej tërësisht i lirë. Si kishte pasur mundësi që ta kishte dashur si të tillë? Por, tani, pasi që kishte mësuar për peripecitë e saj, kur kishte zbuluar se sa e lëndueshme dhe e dobët ishte ajo, tani mund ta donte, tani mund ta shihte rolin e tij në jetën e saj.

Do t’ia dhurojë dashurinë, tha vetë me vete, do të krijojë me të familje! Iu morën mendtë nga ngazëllimi. - Hajde te unë... – e thirri duke i zgjeruar duart. Ajo iu përgjigj ftesës së tij. Iu afrua dhe lëshoi kokën në gjoksin e tij, duke u puthitur e tëra për të. Qante në heshtje. Redoni nuk donte ta pengonte. Ishte ai një vaj i shkarkimit, i përshëndetjes përfundimtare me të kaluarën e mundimshme. Ia lëmoi kokën, duke i ardhur keq që në atë moment nuk mund t’i thoshte se kishte filluar ta donte. E dinte se një gjë e tillë do t’i pëlqente, meqë ajo ndihej si personi më i vetmuar në botë. - Më fal që, gjatë kohës sa kemi qenë bashkë, isha imponuese, Redon... – i tha Laura, duke e tronditur me këto fjalë. – Kam dashur kaq shumë që të më duash... Kisha nevojë të madhe për dashurinë tënde... Nga të gjithë njerëzit që kishin defiluar nëpër jetën time, vetëm nga ti doja të merrja dashuri. Askush tjetër nuk kishte rëndësi për mua. As meshkujt, e as femrat. Për këtë shkak, herë pas here, e mashtroja veten sikur edhe ti më doje, se kisha rëndësi për ty. (vijon) 

(Kosova Sot Online)