Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (55)

  • A.P /
  • 28 August 2020 - 15:50
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (55)

Besonte se, duke qenë ashtu e lodhur nga netët e kaluara duke qarë, nuk do të mund ta nervozonte asgjë. Se kishte gabuar me këtë vlerësim, u bind kur kuptoi se, në mesin e të ftuarve, pa edhe Doruntinën. Atë femër e urrente me zemër, duke e konsideruar iniciatore indirekte të ndarjes së saj nga Redoni. Duke u frikësuar se, nëse do të gjendej në afërsi të saj, nuk do të ishte në gjendje që të mos grindej me të, Laura u nis në drejtim të kundërt. Por, ishte tepër vonë. Doruntina e kishte vërejtur dhe ishte nisur pas saj. U mundua që t’i ikte, duke ia zënë rrugën. Këtë e bëri në mënyrë arrogante, e gatshme që të grindej me të deri në pikën e fundit. - Shihe, shihe, a nuk është kjo princesha jonë e braktisur? – tha ajo me zemërligësi, pasi që kishte parë se Laura kishte shkuar në shpalljen e manekines më të bukur vetëm, pa askënd tjetër. - A as bukuria nuk të ndihmoi që ta mbaje të dashurin, a?! Duket se ai paska vendosur që ta gjejë ndokënd më të arsimuar dhe më inteligjente sesa ti. Çfarë ironie! Konkurron për titullin e manekines më të bukur, e në shpalljen e rezultateve vjen e vetme.

- Jo, Doruntina! – papritmas u dëgjua zëri i Redonit. - Laura nuk është e vetme sonte! Ajo ka ardhur me të fejuarin e saj, d.m.th. me mua! Ishte vështirë të tregoje se cila nga femrat mbeti më e befasuar nga fjalët e Redonit. Por, një gjë mund të thuhet me siguri: që të dyja mbetëm të mahnitura nga pamja e tij, me një kostum elegant të zi, të kombinuar me këmishë të bardhë dhe me kravatë flutur. Ai rrezatonte me një burrëri dehëse, pushtuese. Ishte tepër i hijshëm. I buzëqeshi Laurës, duke ia manifestuar dashurinë me anë të shikimit. E, Laura, e pasigurt në vete, mendoi se tërë kjo ishte pjesë e shfaqjes për Doruntinën, ku Redoni vetëm donte t’ia mbyllte gojën asaj femre të pashpirt. Për këtë shkak, kur ai ia zgjati krahun, ajo pa fjalë ia futi dorën dhe u larguan së bashku.

- Të shkojmë, e dashur! – i tha ai me butësi, duke e tërhequr kah vetja. –na pret një mbrëmje e mrekullueshme, ku do të triumfojë bukuria jote, por edhe të gjitha kualitetet e tjera, me të cilat je e nderuar. Do ta lëmë Doruntinën duke bërë tifo për ty, duke rikujtuar sesi edhe ajo, shumë vite më parë, ishte në mesin e manekineve të nominuara. Doruntina u përgatit që të përgjigjej, por Redoni nuk ia ofroi atë mundësi. Ia ktheu shpinën, duke e marrë edhe Laurën me vete. (vijon) 

(Kosova Sot Online)