Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (12)

  • A.P /
  • 15 September 2020 - 15:39
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (12)

KAPITULLI I DHJETË

E trajnonte një ekip të basketbollit nga qyteti i saj. Përgatitjet zgjatnin një muaj, e kjo ishte vetëm java e dytë. Ai thoshte se djemtë ishin shumë të talentuar, por po aq edhe dembelë dhe të padëgjueshëm. Ganja vërejti se ai nuk e vinte unazën e martesës. Ai i tregoi se, një muaj më parë i kishte mbushur të dyzetat, gjë që për të ishte një lehtësim, meqë kishte menduar që ai ishte shumë më i ri. Ai asaj nuk i besoi se kishte dyzetenjë vjet derisa nuk ia tregoi letërnjoftimin. – E habitshme! Ku e merr këtë eliksir të rinisë? – As ti nuk dukesh sikur t’i kishe dyzet vjet. – Për shkak se është terr dhe nuk më sheh mirë. – Të kam parë edhe për dritë, disa ditë më parë. – Dukeshe sikur nuk më shikoje, mezi prite që të ikje. Ganja ishte e lumtur që në ato momente ishte terr dhe që ai nuk pa që ajo u skuq. – E qortova mjaft atë djaloshin, për shkak të asaj që të bëri. – Je tepër i ashpër, apo jo? – Nuk jam aq sa duhet, sepse po të isha, nuk do të bënin ata çdo ditë marrëzi të tilla. – U tmerruan kur të panë. – E vërtetë, por edhe kjo e ka psenë e vet.

Tani jemi në përgatitje dhe kushdo që më kundërshton, do ta pësojë keq në trajnimin e së nesërmes, prandaj edhe kanë frikë kaq shumë. Kur jemi në shtëpi, nuk janë edhe kaq frikacakë. E mbante për krahu dhe e pyeste veten se a mund të mendojnë të tjerët, që ata janë çift i dashuruar. Asgjë nuk është ashtu sikur që duket, e dinte ajo këtë. Ai i pëlqente, e tërhiqte. Çdo frymë e tij, që rastësisht ia prekte faqen, i shkaktonte një tërmet të vogël brenda. E, i duhej që të mbetej gjakftohtë, duke evituar që ta shikonte. Ai ishte mbreti i spontanitetit, argëtimit dhe shakave. As që vërente se nga shkonin. Pas një ore filloi të ndiente lodhje dhe etje. – A mund të ulemi diku? – A u lodhe, a? Ajo u skuq përsëri. – Hajde, t’i biem shkurt dhe të ulemi në kafenenë e parë që do të na dalë përpara. Nëse nuk mund të ecësh, më trego. Do të të bart unë. – Nëse kafeneja nuk do të jetë afër, atëherë ndoshta edhe do të të duhet të më bartësh. Por, kafeneja ishte tepër afër, as tre minuta ecjeje.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Ganja porositi çaj të nxehtë, kurse Blerimi, si sportist që ishte, u përcaktua për një lëng të dendur. – Edhe? Hajt, ta dëgjojmë tregimin tënd! Ajo u hutua. Blerimi e vërejti këtë në bazë të shikimit të saj. – Desha të thosha, çka kërkon një grua kaq e bukur në një banjë gjatë vjeshtës edhe atë fillikat e vetme – të sorollatet rrugëve, t’i provokojë fëmijët, të ndeshet me meshkuj që kanë zemër të dobët, apo të bëjë gjëra të tjera, të ndaluara?! (vijon) 

(Kosova Sot Online)