Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (14)

  • E.K /
  • 19 September 2020 - 15:27
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (14)

KAPITULLI I DYMBËDHJETË

E kishte përcjellë deri te hoteli dhe në hyrjen e ndërtesës e kishte puthur për një kohë të gjatë. E dëshironte aq shumë, e po ashtu e dinte se edhe ajo e dëshironte atë, por nuk kishte guxuar që të nënshtrohej dëshirave të tij dhe ta ftonte në dhomën e tij. As ai nuk e dëshironte këtë. - A mundemi nesër ta përsërisim këtë shëtitje dhe këto puthje? - Do të ishte mrekulli. - Do të vij këtu në hotel në ora tetë, mos gabo rastësisht të darkosh. - Në rregull. - Gjumë të ëmbël. - Edhe ty. Mezi janë ndarë. Kur ajo kishte arritur në dhomën e saj, gjëja e parë që kishte bërë ishte shtrirë në shtratin e saj dhe e kishte mbuluar kokën me jastëk në mënyrë që të mos bërtiste prej lumturisë që e ndente në ato momente. Zemrën përsëri e ndiente të gjallë, trupi i saj po dëshirohej nga dikush, koka e saj e tëra ishte në kaos, e tëra po lulëzonte dhe po shkëlqente. Mezi kishte pritur që të kalonte ajo natë dhe përsëri të vinte mbrëmja, të vinte ora tetë, dhe ta shikojë përsëri atë, që dorën e saj ta bashkojë me të tijën dhe ta lejonte ta dërgonte atje ku atij do t'i binte në mend. Kishte cingëruar telefoni i saj celular pikërisht në momentin kur ajo kishte përfunduar me dushin.

E kishte njohur numrin tij. Kishte kaluar tashmë një orë pas mesnatës, e kjo kurrsesi nuk ishte koha kur ai do të mund ta thërriste. U lajmërua. U dëgjua se ishte në ndonjë kafene, po dëgjohej muzika popullore, por nga lodhja e tepërt që po e ndiente nuk po mund ta dallonte se për cilën këngë po bëhej fjalë. - Ja, këtu jam në ditëlindjen e kumbarës, kështu që mu desh të lajmëroj. Po më mungon zëri yt. - Blerim, si mundesh...? - Ajo nuk është këtu. Kishte dhimbje koke, kështu që ka shkuar më herët në shtëpi. AJO! Nuk e dinte as emrin e bashkëshortes së Blerimit, por kur thuhet AJO, gjithçka është e qartë sikurse vetë loti. - Si po ndihesh ti atje? - Mirë, po pushoj. - A po mendon për mua? E përpiu një petull. - Aq sa nevojitet. - Disi më je e shkurtër në fjalë, por, për mua është me rëndësi se do të takoj së shpejti. A dëshiron që të vij dhe të marr në stacion, kur të arrish në qytet? - Jo, mos eja! Do të vij të premten mbrëma shumë vonë. - Atëherë do të thërras të shtunën herët, do të gjej ndonjë arsyetim që gjithë ditën që kemi përpara ta kalojmë së bashku. - Mirë. Do të jemi në kontakt. - Të puth. - Mirupafshim.

E kishte ndërprerë lidhjen për faktin se pse ia kishte hapur fare telefonin. Ia kishte prishur atë ditë të cilën e kishte kaluar më herët. Ajo e kishte gënjyer se po shkonte të premten vonë, për të vetmen arsye që të mos e takojë më. Vetë mendimi për faktin se do të mund ta puthte pasi që e kishte puthur Drenin, e kishte bërë të ndihej tmerrshëm. Sikur të mos e kishte takuar Drenin në abejë, një mashkull kaq të bukur, me siguri se do t'i gëzohej faktit, apo do të mund të shtirej se ishte gëzuar që e kishte thirrur Blerimi. Ky do të ishte fakt se po mendonte për të dhe se krejt nuk një aventurë që ndërlidhet me seks. Mirëpo, tani për të asgjë nuk kishte domethënie dhe asgjë më nuk kishte rëndësi. Në mënyrë të pandarë dhe në një mënyrë shumë intensive, si kurrë më parë për ndonjë mashkull, ajo kishte filluar të mendonte për Drenin. Ajo po i kthente mendimet për çdo moment të kaluar me të. Asaj iu deshën vetëm dhjetë minuta për të harruar faktin se një Blerim vallë po ekzistonte diku. /vijon/

(Kosova Sot Online)