Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (23)

  • A.P /
  • 09 October 2020 - 18:15
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (23)

– Asgjë me rëndësi. Ndodhi ajo që ndodhi. Kohën nuk mund ta kthejmë prapa. Edhe ashtu, vonë është. Dreni e shikoi me çudi. – Pse mendon se është vonë? – Është evidente se ti ke dikë, të pashë mbrëmë me atë zeshkanen. Ai ofshau. – Po. Me të jam tash e dy vjet. – Ja. E, edhe unë po martohem, por kësaj here me të vërtetë. E sheh? Vonë është. – Kurrë nuk është vonë. Puthja e gjeti të papërgatitur. Ajo nuk bëri asgjë që të mbrohej. Iu dorëzua, sikur ai të ishte i rëndësishëm në atë moment. Kur i ndanë buzët, në fytyrën e saj kishte lot.

– Mos ma bëj këtë, Dren. Unë jam vetëm një femër e dobët e cila tërë jetën është në kërkim të dashurisë, e kur e gjej atë, nuk di si t’i dorëzohem. Tani kur më nuk besoj në mrekulli dhe kur kam vendosur të jetoj tërë jetën me njeriun i cili më do, paraqitesh ti duke shkaktuar një kaos të vërtetë. Mos, të lutem! Më lër të qetë! Nëse edhe takohemi rastësisht, mos më fol. Ktheje kryet në anën tjetër. Të lutem! Me t’i thënë këto fjalë, ajo vrapoi në drejtim të hotelit.

KAPITULLI I NJËZETEDYTË

Më nuk e takoi, por kjo nuk ia lehtësoi qëndrimin gjatë dy ditëve të tjera në banjë. Mezi priste që të kthehej në shtëpi dhe të rrinte me Milaimin. Edhe pse vazhdimisht mendonte rreth Drenit, mundohej që Milaimi të mos e vërente ndryshimin në sjelljen e saj. Vera i afrohej fundit, e me këtë afrohej edhe dita e dasmës. Ishte gjithnjë e më e shqetësuar. Më 1 shtator, një muaj ditë para martesës, u kthye në shtëpi nga dita e fundit në punë. Dha dorëheqje dhe atë ditë i qerasi të gjitha koleget me ëmbëlsira dhe pije, duke zëvendësuar kështu kënagjeqin, të cilin nuk donte ta bënte. Nuk ishte më e re. E përvëloi çajin, e ndezi TV-në dhe filloi ta shikonte një seri TV turke. I cingëroi telefoni. Ishte e sigurt se ishte Milaimi ai që e thërriste, prandaj as që e shikoi numrin në ekran. – Alo? – Mirëdita, a është ky ende numri i Ganës?

– Po. Unë jam Ganja. Kush jeni ju? Pasoi një pauzë. – Unë jam, Dreni. Iu soll dhoma. – Ti? Si kështu? – Si je? – Mirë jam unë. Po ti, pre më thërret? – As vet nuk e di. Mendoj në ty dhe të ëndërroj thuajse çdo natë. Jam munduar në të gjitha mënyrat që të të harroj, por më kot. Thash, nëse ta dëgjoj zërin dhe nëse do të silleshe keq ndaj meje, ndoshta do ta kuptoja përfundimisht se nuk guxoj të të ëndërroj më. Ajo heshti. Dëgjonte ato fjalë dhe nuk e dinte se a të qeshte nga gëzimi, apo të qante nga dëshpërimi. – Gane? A je aty? – Po... këtu jam. – Më thuaj se jam gomar, budalla, se duhet të të lë të qetë. Më thuaj se e do tjetrin dhe më thuaj ta harroj këtë numën. Më thuaj çkado që të më dëbosh. (vijon) 

(Kosova Sot Online)