Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (8)

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 15:49
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (8)

- Kush, Luftim? Kush janë të tmerrshme? - Po të Martat, bre! Po a je duke më dëgjuar ti çka jam duke thënë, apo çka? Të Martat doktor! Kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të tillë. Kujtimi filloi që t'ia hapte historinë pacientit, derisa mendohej sesi ta qetësonte atë. - Luftim, shiko! Këtu janë edhe fqinjët e tu. Me siguri ata do të përkujdesen për familjarët e tu derisa ti qëndron këtu, te ne... - Jo, jo! Askush nuk e do boshnjaken! Doktor, nëna ime është boshnjake.

Askush nuk e do. Bile edhe kjo, Xhezidja, s'ka lënë send pa i bërë. Gruaja reagoi menjëherë, me ta dëgjuar emrin e saj. - Valla veç çka jemi mundu' me i ndihmu', se kurrë keq nuk i kemi ba. Po dikush s'po ta dika... Leka që mbante në dorë një shiringë, e ndërpreu këtë muhabet. - Doktor, një me një, apo jo? Ata kuptoheshin se për çfarë barnash bëhej fjalë, pa përmendur emrat e tyre. - Po, Lekë! Pasi që u ngrit në këmbë, Kujtimi iu drejtua edhe një herë pacientit. - Luftim, ky doktori këtu, Leka, tani do të ta japë një injeksion, sa për të të qetësuar. Më pas do të të dërgojë në dhomë. Në rregull? Por, Luftimi nuk tha gjë edhe pse shikonte me ngulm doktorin, sikur donte të përpinte çdo fjalë që thoshte ai.

Dukej se ai tani ishte kredhur në një botë krejtësisht tjetër. Sapo u nis që të kthehej në zyrë, dëgjoi një zë që e thërriste nga prapa. - Doktor, o doktor! A je ti kujdestar, a Dr. Tina? Ishte ky punëtori i sigurimit, Sabiti, apo zhyllani, sikur që e quanin të gjithë, për shkak se nuk përkujdesej fort për higjienën e vet personale. Në ato momente Kujtimi ndjeu një urrejtje aq të madhe ndaj tij, saqë do ta shqyente aty për aty. Sapo kishte filluar që ta harronte atë që i kishte ndodhur, e ky ia kujtonte përsëri. "O Zot, a thua pse nuk mund t'i shikojnë punët e veta?", mendoi me vete, por Sabitit, rojës, iu drejtua me një zë të qetë, sa më të qetë që mundi në atë moment - Unë jam kujdestar, baca Sabit! Sikur të mos isha, a do të vija në zyrën e pranimit, a? - Jo, jo... - Ti e di se unë nuk përtoj të punoj, por kur nuk jam në punë, nuk m'i sheh sytë kush këtu. 

Po, ma mori mendja, veç m'u duk se e pashë Dr. Tinën në Psikiatrinë pak më parë. - Jo, jo, nuk të është dukur. Ti me të vërtetë e ke parë doktoreshën Valentinë. E pashë edhe unë... me gjasë ajo ka ndonjë punë në zyrë dhe ka ardhur ta kryej. "Zhyllani i dreqit", mendoi me vete Kujtimi. Kishte kohë që nuk kishte qenë i detyruar të rrente kaq rrastë. Të gjithë e dinin se Dr. Valentina nuk ishte nga ata doktorë që punonin përtej orarit. Ajo kurrë nuk qëndronte deri në fund të orarit, e lëre më të vinte pas tij. Edhe pse, më pas, deri në mëngjes, nuk pati raste të tjera, Kujtimi thuajse fare nuk futi gjumë në sy. (vijon) Autor: H. B. I.

(Kosova Sot Online)