
Lexoni edhe:
Albin Kurti mund të ketë të drejtë në substancë, por vonesa në veprim mund t’ia zbehë efektin
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Është të pretendosh të jesh progresiv, demokrat, liberal, luftëtar për barazi, derisa dihet të përballosh atë në një situatë konkrete. Skena jonë politike e lodhur nuk ka zotësi për asgjë. Nëse ndodh që të mos zgjidhet presidenti i vendit, lirisht mund të themi se bëhet fjalë për aktorë të këqij, profiterë dhe të lodhur nga dija. Dhe kjo ndodhi. Këta që po parakalojnë në mediat tona, por për fat të keq edhe në komunitetin akademik, janë si kashtë. Si mund të kemi shtet normal dhe demokratik, kur kemi lojëra të tilla shumë të ulëta, të cilat shumë janë duke i kushtuar vendit, madje mund të na kushtojnë të kthehemi në rezolutën e OKB-së 1244, që është humbje e pavarësisë!? Askush nuk do të dëshironte një gjë të tillë, se shumë gjak u derdh historikisht dhe në luftën e fundit çlirimtare që të kemi shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan. Vendi humbi miliona donacione nga BE-ja, që është për çdo kritikë dhe dënim.
-Këto janë momentet më dramatike politike dhe institucionale, me pasoja shumë të mëdha, të cilave nuk u dihet fundi. Si mund të zhvillohet vendi me qëndrime të tilla kontradiktore, që kanë krijuar një atmosferë shumë të zymtë? Vendi po shkon në zgjedhje, ku do të kemi më gjasë sërish zgjedhje, në pamundësi të një konsensusi politik për president të vendit. Nuk u shfrytëzua mundësia që ky ngërç i madh politik, me pasoja të mëdha, të kapërcehet në momentet e fundit për të shpëtuar Kosova fytyrën para botës demokratike, e cila po hesht për të parë se sa janë në gjendje shqiptarët në Kosovë të ndërtojnë shtet, apo do të vijë në shprehje thënia e shovenit serb, Nikolla Pashiqit dhe të gjithë pashiqëve të tjerë deri te Millosheviqi dhe Vuçiqi, se shqiptarët nuk dinë të ndërtojnë shtet.
Kjo nuk ishte dashur të lejohet të na ndodhë në asnjë mënyrë. Serbia nuk lë gur pa lëvizur që Kosovën para syve të botës demokratike ta paraqesë si shtet të dështuar. Duket se nuk jemi liruar nga indoktrinimi komunist, ku ideologjitë vijnë në shprehje para kombëtarizmit. Kjo është e tmerrshme për shoqërinë demokratike që Kosova e konsideron veten. Nuk kemi liri mendimi, e lëre më besimi. Një gjë është e sigurt, nuk ka popull në shoqëritë demokratike që toleron kaq gjatë lojëra të tilla shumë të rrezikshme për fatin e shtetit të vet dhe të kombit përgjithësisht.
Si nuk kanë turp, inat dhe ndjenjë patriotike që t’ia bëjnë qejfin të gjithë armiqve të Kosovës, për diçka që nuk është dashur të diskutohet gjatë, siç është zgjedhja e presidentit të vendit? Pse shqiptarët nuk i heqin qafe këtë klasë hileqare dhe zullumqare politike pas gjithë këtyre marifeteve të ndyera karshi vendit të tyre? Kjo nuk guxon të kalohet në heshtje. Ky duket se është një kompleks historik me shumë pak vlerë. Sikur jemi “mësuar” të na sundojnë të tjerët! Duket se urrejtja dhe mosuniteti janë rrënjosur tashmë thellë në shoqërinë tonë. Kjo dëshmon më së miri faktin që të gjithë e dinë këtë prej kohësh, por askush nuk e konsideron punën e njerëzve të tillë të politikës si diçka të neveritshme.
Jemi bërë spektatorë, që është gati barazi me veprimet destruktive të kësaj garniture politike të paditur dhe lakmitare vetëm për pushtet dhe të mira materiale. Jemi mësuar me ta, si dhe me krizat dhe me budallëqe të ngjashme që “zbukurojnë” jetën tonë shoqërore dhe politike. Kjo nuk mund të ndryshojë lehtë, se duket se problemi është shumë më i thellë dhe prek të gjitha nivelet e shoqërisë. Kjo përbuzje kaq e madhe ndaj popullit nuk ka guxuar të na ndodhë! Jemi duke bërë gjënë më të gabuar të mundshme që nga përfundimi i luftës në vitin 1999!
Prandaj, nuk është çudi se në Kosovë po vazhdojnë të mbretërojnë varfëria, korrupsioni, nepotizmi dhe paaftësia, që po mbretëron në këtë vend të bukur nga njerëzit e pandërgjegjshëm, të padinjitet dhe pa ndjenja për shtet dhe për komb…! Kosovës po i bëhet tradhti e madhe…! Po zgjohemi pa president të ri, duke shkuar në zgjedhje me koston e lartë e të papërballueshme për Kosovën e varfër dhe me nevoja tjera të shumta. Kosova mund të sharrrojë me këta njerëz të politikës në baltë deri në fyt.
Sipas deklarimit të fundit të kryeministrit, Albin Kurti, LVV do t’ia hapte rrugën sërish zonjës Osmani nëse LDK-ja e propozon për presidente, por që blloku opozitar nuk u paraqit fare në seancë. Motivacioni përfundimtar i saj është që me zgjedhje të reja LVV të dobësohet, duke ditur se ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsiderohet si politikane e cila do të jetë kundërshtare e fortë e Albin Kurtit në tubimin e votave. Opozita (LDK) llogarit që Vjosa Osmani do t’i bashkangjitet ose do të bëjë paraprakisht një listë të vet, duke u futur në koalicion pastaj me LDK-në.
Këto matematika elektorale hidhen poshtë kur ka ardhur seriozisht në pyetje fati i Kosovës së pavarur. Krizat mund të thellohen aq keq sa do të jetë vështirë të riparohen. Po shihet ashiqare se shumë njerëz nga kjo garniturë politike duhet të largohen me votën e lirë, për t’i lëshuar vend një gjaku të ri politik, nëse dëshirojmë të shpëtojmë atë që mundemi të shpëtojmë. Nëse edhe këto zgjedhje nuk prodhojnë ndryshime përmbajtësore, që zor të besohet, atëherë unë për vete nuk e di se çka do të ndodhë me të ardhmen tonë si shtet dhe si komb në Ballkan.
Kosova po vihet në rrezik të madh, sepse interesat personale dhe pasurimet, ashiqare, janë vënë para interesit të qytetarëve dhe para shtetit të Kosovës…!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".