Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (11)

  • E.K /
  • 29 November 2020 - 15:26
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (11)

Kurse vajza e dytë, Donika, apo Dida, si ia kishte vënë nofkën gjyshja, ishte një vajzë emocionale, shumë shpejt shkrehej në vaj, për asgjë fare, por ishte edhe shumë e dashur dhe e zgjuar. Ishte bionde dhe paksa më e plotë se Kujtimja. Ajo ishte 6 vjeç e gjysmë. - Babi, më duket se paske temperaturë pak! - Valla bre Didë, ndoshta edhe kam, se disi po ndihem më i lodhur e më i këputur se zakonisht! - A muj' erdhe, o njeri? Sabrina kishte zakon që të bënte herëherë shaka, duke u munduar të fliste "ala katundarçe", prej se kishin ardhur të jetonin këtu, në periferi.

Edhe pse tanimë kishin më shumë se nëntë vjet që ishin martuar, bukuria e saj nuk ishte zbehur aspak. Përkundrazi, ajo vetëm sa ishte bërë edhe më e bukur dhe më joshëse. Sabi ishte e gjatë, jo tepër thatanike, me bel të hollë dhe me ije jo fort të gjera. Kishte dhëmbë të mrekullueshëm, të bardhë si bora, të cilët iu jepnin një hijeshi edhe më të madhe buzëve të saj, ngjyrë të çeltë roze. Por, sa herë që mendonte për gruan, Kujtimit më së pari i binin ndërmend sytë e saj të mrekullueshëm, të gjelbër. Këta sy sikur i kishte marrë me dorë dhe i kishte vënë në kokën e vet edhe Donika.

Sabrina kishte flokë të kafta, të çelëta. Një herë Kujtimi i kishte thënë që t'i ngjyroste flokët në të verdhë, por meqë as ai, e as vet Sabrina nuk kishin mbetur të kënaqur nga rezultati, ajo përsëri i ishte kthyer ngjyrës së saj natyrale. - Erdha disi! Ti a je mirë? - Mua a më le ble ndonjë send? - Po, qysh jo! Më vonë ta jap! Pasi e përqafoi dhe e puthi, Sabi iu drejtua. - Paske temperaturë, more?! - A po, Didë, a? Edhe Dida më tha pak më parë. Krejt ta ka këputur kryet! - Përnjëmend e kam! A e do një paracetamol?

Prit pak, ta pi një kafe dhe të pushoj pak. Nëse nuk do të ndihem mirë edhe pasi të zgjohem, atëherë do ta pi atë. Pa marrë parasysh a pinte, a nuk pinte kafe me shokët në punë, sapo mbërrinte në shtëpi e kishte zakon që ta pinte një kafe me gruan e edhe me nënën, kur ajo ishte aty. Babai, derisa ishte gjallë, preferonte "çajin e rusit". Por, nëna nuk gjendej aty. Ajo kishte shkuar te vëllai i Kujtimit, Besniku. Pasi piu kafen u shtri në dhomën e ditës për të pushuar. Shumë shpejt e zuri gjumi.

KAPITULLI I TRETË

I hapi sytë dhe u shastis kur pa se dr Valentina i gjendej thuajse e tëra përmbi. Mund ta ndjente frymën e saj në fytyrë. Nuk mund të thoshte me siguri a ishte ajo krejt lakuriq, apo kishte të veshur diçka - aq shumë i ishte afruar! Provoi të fliste, t'i thoshte të largohej, apo ta pyeste se çka ishte duke bërë, por nuk mundi të nxirrte zë. Provoi ta shtynte me dorë, por ë-ë! Ajo filloi të buzëqeshte me një dozë marrëzie në fytyrë. Sytë i kishte të çartur, bile kur Kujtimi u përqendrua pak më shumë, vërejti se ata ishin edhe të skuqur. H.B.I. (vijon)

(Kosova Sot Online)